Ndërlidhjet

Kina publikon dokumentar për aftësinë e ushtrisë për të sulmuar Tajvanin


Helikopterët ushtarakë kinezë duke fluturuar pranë ishullit Pingtan, që është pika më e afërt e territorit kinez me atë të Tajvanit. 4 gusht 2022.
Helikopterët ushtarakë kinezë duke fluturuar pranë ishullit Pingtan, që është pika më e afërt e territorit kinez me atë të Tajvanit. 4 gusht 2022.

Kina ka publikuar një dokumentar të ri lidhur me gatishmërinë e ushtrisë së saj për të sulmuar Tajvanin. Në këtë dokumentar janë shfaqur ushtarët duke bërë betimin për të dhënë jetën e tyre nëse është e nevojshme, përderisa Pekini vazhdon të ashpërsojë retorikën ndaj ishullit vetëqeverisës.

“Ndjekja e ëndrrave”, një dokumentar me tetë pjesë, u transmetua nga transmetuesi shtetëror CCTV më herët gjatë kësaj jave për të shënuar 96-vjetorin e Ushtrisë Popullore Çlirimtare. Në të u shfaqën stërvitjet ushtarake dhe dëshmitë e dhjetëra ushtarëve, disa prej të cilëve shprehën vullnetin e tyre për të vdekur në një sulm të mundshëm kundër Tajvanit.

Kina pretendon se Tajvani – një demokraci vetëqeverisëse – është pjesë e territorit të saj dhe do të pushtohet edhe me forcë, nëse është e nevojshme.

Media shtetërore dhe ushtria kineze shpesh publikojnë materiale propaganduese, duke shfaqur modernizimin e ushtrisë, por edhe stërvitjet ushtarake.

Këto materiale përdoren për të rritur nacionalizmin kinez dhe për të shfaqur besimin e ushtrisë kundër Tajvanit, dhe në mënyrë implicite, raportet e ishullit me Shtetet e Bashkuara.

SHBA-ja nuk e njeh Tajvanin si shtet sovran, por është zotuar se do ta ndihmojë ishullin që të mbrojë veten në rast të një pushtimi.

Muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë njoftoi për një paketë të ndihmës ushtarake për Tajvanin në vlerë prej 345 milionë dollarësh. Ky vendim u kritikua nga Pekini.

Dokumentari “Ndjekja e Ëndrrave” shfaqi, mes tjerash, stërvitjet ushtarake të quajtura “Shpata e Përbashkët”, në të cilat u simuluan goditjet precize ndaj Tajvanit. Këto stërvitje u mbajtën në prill rreth ishullit vetëqeverisës pasi presidentja tajvaneze, Tsai Ing-wen, vizitoi SHBA-në.

Në dokumentar janë shfaqur edhe tri anijembajtëse kineze duke lundruar me disa luftanije të tjera.

Ushtria kineze muajve të fundit ka dërguar luftanije në Ngushticën e Tajvanit, që janë parë si kërcënim ndaj Tajvanit. Po ashtu, ushtria ka kaluar vijën ndarëse në këtë ngushticë dhe zonën joformale të demarkacionit mes dy shteteve, shpesh për të kundërshtuar ndërveprimet mes Tajvanit dhe SHBA-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG