Ndërlidhjet

Navalny dënohet me 19 vjet burgim


Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny. Fotografi nga arkivi.
Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny. Fotografi nga arkivi.

Një gjykatë në Moskë e shpalli fajtor politikanin opozitar, Aleksei Navalny, duke e dënuar me 19 vjet burgim nën akuza që lidhen me ekstremizëm për shkak të Fondacionit të tij Kundër Korrupsionit (FBK).

Navalny, veçse është duke vuajtur një dënim prej nëntë vjetësh burgim.

Ai dhe aleatët e tij kanë thënë se akuzat, për të cilat u dënua më 4 gusht, janë të motivuara politikisht.

Gjykata në Moskë, e gjeti fajtor 46-vjeçarin në bazë të gjashtë neneve të Kodit Penal rus, përfshirë edhe për krijimin dhe financimin e një komuniteti ekstremist, thirrje për ekstremizëm, rehabilitim të nazizmit dhe përfshirjen e minorenëve në akte të rrezikshme.

Autoritetet ruse më 2021 shpallën fondacionin e Navalnyt organizatë ekstremiste dhe ia ndaluan të gjitha aktivitetet në Rusi.

Navalny reagoi në Facebook për dënimin, duke thënë se nuk ka rëndësi numri i viteve.

“E kuptoj plotësisht, sikurse shumë të burgosur të tjerë politikë. Unë do të jem në burg gjithë jetën. Ku jeta matet ose me jetëgjatësinë time apo të regjimit”, tha ai.

Navalny u bëri thirrje rusëve që të vazhdojnë të rezistojnë ndaj Kremlinit dhe ndaj përpjekjeve të Kremlinit, që ai tha se bëhen për të “frikësuar rusët” dhe për t’ua shuar dëshirën për të rezistuar.

Shtete të ndryshme reaguan pas shqiptimit të dënimit të Navalnyt. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara dënuan atë që e cilësuan si gjykim "të stisur" dhe "të padrejtë".

"Vendimi i fundit është edhe një gjykim i stisur ndaj Aleksei Navalnyt dhe është i papranueshëm. Ky dënim arbitrar është përgjigje ndaj kurajës së tij për të folur në mënyrë kritike ndaj regjimit të Kremlinit", tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Shtetet e Bashkuara dënuan vendimin. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se akuzat ndaj Navalnyt janë të pabazuara.

"Ky ishte një përfundim i padrejtë i një gjykimi të padrejtë", tha Miller.

"Për vite të tëra, Kremlini ka tentuar ta heshtë Navalnyn dhe të parandalojë thirrjet e tij për transparencë dhe llogaridhënie", shtoi ai.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë, James Cleverly, po ashtu dënoi vendimin ndaj Navalnyt dhe tha se Mbretëria e Bashkuar kërkon lirimin e menjëhershëm të tij.

Organizata Amnesty international e cilësoi dënimin e ri “pak a shumë si dënim me vdekje”. Ky dënim, sipas kësaj organizate, nuk shënjestron personalisht vetëm Navalyn, “por shërben si paralajmërim për kritikët e shtetit në mbarë Rusinë”.

Navalny, kritikë i zëshëm i presidentit rus, Vladimir Putin, aktualisht po vuan dënim për shmangie tatimore dhe shkelje të një lirimi të mëparshëm me kusht.

Të gjitha akuzat ndaj tij shhen gjerësisht si hakmarrje nga pushteti për shkak të punës së tij në fondacionin e tij.

Ende nuk është e qartë nëse dënimi i ri do t’i shtohet dënimit paraprak ose nëse Navalny tani do të duhet të vuajë në total 19 vjet burgim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG