Ndërlidhjet

Lituania shpall mbi 1.000 rusë e bjellorusë si rrezik për sigurinë kombëtare


Një flamur i Bjellorusisë në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius.
Një flamur i Bjellorusisë në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius.

Lituania i ka shpallur më shumë se 1.000 shtetas të Rusisë dhe Bjellorusisë, që jetojnë në këtë shtet, si kërcënim për sigurinë kombëtare, dhe ka thënë se do t’ua anulojë lejeqëndrimet e përhershme.

Vendimi vjen pasi Qeveria u ka kërkuar rusëve dhe bjellorusëve që ta plotësojnë një anketë, në të cilën ka pasur pyetje për qëndrimet e tyre lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë dhe për statusin e Krimesë, gadishullin ukrainas të aneksuar nga Moska më 2014.

Lituania, shtet baltik që e ka shpallur pavarësinë nga ish-Bashkimi Sovjetik më shumë se 30 vjet më parë, është demokraci që i takon NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Ajo ka qenë mbështetëse e madhe e Ukrainës dhe është bërë shtëpi për shumë refugjatë, të cilët u kanë ikur fushatave shtypëse qeveritare në Bjellorusi dhe Rusi.

Departamenti i Lituanisë për Migrimin, ka thënë se e ka vërtetuar që 1.164 shtetas bjellorusë dhe rusë që jetojnë në Litani përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare, vendim që është bazuar në informacion publik dhe jopublik.

Sipas njoftimit, vendimi prek 910 bjellorusë dhe 254 rusë.

Mënyra se si janë përgjigjur njerëzit në anketë është marrë parasysh në vendimin nëse duhet vazhduar apo anuluar atyre lejet e qëndrimit.

Atyre që do t’iu anulohet leja është thënë se janë vetëm një pjesë e komunitetit të rusëve dhe bjellorusëve që jetojnë në këtë shtet.

Sipas Departamentit të Migrimit, në Lituani aktualisht jetojnë më shumë se 58.000 bjellorusë dhe 16.000 rusë.

Atyre u kërkohet që ta vazhdojnë lejen e qëndrimit çdo vit, ose çdo tri vjet, varësisht prej statusit të aplikimit.

Atyre që u është anuluar leja do të mund ta apelojnë vendimin në gjykatë.

Qeveria ruse dhe ajo bjelloruse nuk e kanë komentuar ende këtë vendim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG