Ndërlidhjet

Navalny lufton për të ardhmen e Rusisë edhe prej burgut


Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny në një nga paraqitjet e tij në gjykatë.
Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny në një nga paraqitjet e tij në gjykatë.

Në sistemet më autoritare, një figurë e vetme gëzon vëmendje.

Mirëpo, presidenti rus, Vladimir Putin, ndonëse e shtrin pushtetin në të gjitha nivelet, ai ende e ndan skenën me një emër që nuk dëshiron ta dëgjojë: liderin e burgosur opozitar, Aleksei Navalny.

Teksa e vuan dënimin me burgim prej 11 vjetësh e gjysmë për akuza për përvetësim – të cilat konsiderohen të motivuara politikisht –Navalny është dënuar me 19 vjet burgim për akuza të lidhura me ekstremizëm.

Prokurorët kanë kërkuar 20 vjet dënim për të. Përmes një postimi në Instagram, më 3 gusht, 24 orë para se një gjyqtar të lexojë vendimin, Navalny ka thënë se pret dënim mes 15 dhe 20 vjetësh burgim.

Navalny, pa dyshim, është kthyer në simbol të opozitës".

Sipas tij, një dënim i tillë ‘stalinist’ e ka për qëllim vetëm “frikësimin”.

“Juve, jo mua”, ka shtuar ai.

Por, shteti mund ta ketë në kokë edhe një arsye tjetër.

“Synimi i Qeverisë është shumë i qartë”, ka thënë ndihmësi i Navalnyt, Vladimir Milov, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në shkurt.

“Për ta izoluar plotësisht Navalnyn nga shoqëria. Dhe, kjo gjë nuk ka ndodhur. Ne jemi duke marrë vazhdimisht mesazhe prej tij, qoftë edhe prej burgut”.

“Synimi dytësor ka qenë që të shkatërrohet plotësisht organizata e tij”, ka thënë Milov.

“As kjo nuk ka ndodhur. Ndonëse shumë anëtarë janë detyruar të migrojnë, ne vazhdojmë, jo vetëm që të punojmë, por edhe të kemi ndikim në situatën politike në Rusi”.

“Navalny, pa dyshim, është kthyer në simbol të opozitës”, ka shtuar analisti politik, Konstantin Kalachyov.

Pavarësisht ngacmimeve, arrestimeve dhe sulmeve fizike, si dhe një sulmi me agjent nervor më 2020, që gati e ka lënë të vdekur, Navalny vazhdon të ketë ndikim dhe mbetet i rëndësishëm edhe prej izolimit.

Përgjatë veprimtarisë së tij, Navalny, 47-vjeçar, i ka definuar tentimet e Kremlinit për ta izoluar dhe heshtur atë, si mesazh se e ardhmja e Rusisë mund të jetë shumë ndryshe prej të kaluarës shtypëse dhe të tashmes.

‘Njerëz të sinqertë’

Në dhjetor të vitit 2020, Navalny është përballur me një vendim jetësor.

Ai ka qenë në Gjermani, duke u shëruar nga helmimi me agjent nervor, për të cilin e ka fajësuar Putinin dhe Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB).

Qeveria ruse pati dërguar sinjale të vazhdueshme se ai përballet me arrestim dhe burgim nëse kthehet në Rusi.

Pavarësisht kësaj, ai nuk ka hezituar kurrë.

Më 17 janar 2021, ai është kthyer në Rusi me aeroplan.

Menjëherë është ndaluar dhe është dërguar në mbajtje.

Një prej mesazheve të para prej burgut ia ka dërguar shoqes së tij, gazetares Yevgenia Albats.

“Zhenja. Gjithçka është në rregull. Historia po shkruhet dhe Rusia po kalon nëpër të, sikurse ne. Ne, ndoshta do ta rishkruajmë atë. Jam mirë dhe nuk pendohem. Mos u shqetëso. Gjithçka do të jetë mirë. Edhe nëse nuk do të jetë, do ta ngushëllojmë veten se kemi qenë njerëz të sinqertë”.

Andrei Kolesnikov, hulumtues i lartë në Qendrën Carnegie në Berlin, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “në sensin politik” Navalny është dashur të kthehet në Rusi, “sepse ai është luftëtari kryesor i këtij regjimi”.

Vendimi i tij për t’u përballur me Qeverinë e Putinit, duke e sakrifikuar edhe lirinë, është kthyer në shembull inspirues për shumë rusë tjerë.

“Kthimi i Navalnyt ka qenë akt që na ka dhënë të gjithë neve mundësi që të bashkohemi edhe të luftojmë për të drejtat tona”, ka thënë Alipat Sultanbegova, ish-vullnetare në organizatën e Navalnyt, e cila është dënuar shtatë herë me burgim brenda dy vjetësh për protestat e saj kundër luftës në Ukrainë.

“Ai vazhdon të shënojë fitore dhe ata vazhdojnë ta dënojnë… nëse Aleksei Navalny do të qëndronte në Evropë, ai nuk do të kishte qenë kush është sot – një burrë me kurajë që është dhënë pas kauzës dhe shtetit të tij”.

Refreni konstant i Navalnyt se autoritarizmi nuk do të zgjasë përgjithmonë në Rusi, dhe që “historia është duke vazhduar”, ka ndikuar në jetët e shumë të rinjve.

“Kam jetuar kohë të gjatë në familje pro-Putinit, pro-Stalinit, ku televizioni është shikuar vazhdimisht”, ka thënë Sultanbegova, duke shtuar se ajo është inspiruar nga Navalny dhe aktivistë tjerë të vrarë si Boris Nemtsov.

“Dua ta bëj një kontribut të vogël për të ardhmen e bukur të Rusisë”.

Në një letër nga burgu, për të shënuar përvjetorin e parë të kthimit në Rusi, Navalny ka thënë se “autoritetet frikësohen prej atyre që nuk janë frikacakë – apo më saktë, prej atyre ata që mund të frikësohen, por që e mundin frikën”.

Sergei Davidis, që udhëheq një program për të burgosur politik, ka thënë se “Navany e ka dëshmuar se ai është politikani më i fuqishëm i kohëve moderne të Rusisë”.

Talljet nga burgu

Përgjatë karrierës së tij në opozitë, Navalny është kritikuar si racist dhe si figurë me elemente nacionaliste, si dhe për qëndrimin kundër që ka pasur ndaj vendimit të Moskës për ta aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.

Ai ka dalë së fundi edhe kundër luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Di vetëm që aftësia e tij intelektuale dhe avancimi i tij, stili i tij pa të meta dhe kapaciteti për vetëironi që e ka Aleksei, nuk përputhet me të qenët lider në regjimet autoritare”, ka shkruar poeti me bazë në Moskë, Lev Rubenshtein, në një postim në Facebook.

“Sikurse shumë të tjerë, vazhdoj të jetoj me shpresë, pavarësisht ngjarjeve të zymta… shpresoj se ky është vetëm fillimi i biografisë politike, personale dhe private të Alekseit”.

Në burg, Navalny i ka shfrytëzuar të gjitha dijet për t’u tallur me autoritetet dhe për të dëshmuar që nuk i është dëmtuar morali, pavarësisht trajtimit të burg, të cilin mbështetësit e tij e përshkruajnë si torturë.

Përgjatë gjithë vitit 2023, ai ka bërë kërkesa të çuditshme në burg, përfshirë kërkesa për veshje të ndryshme dhe vizitë të një kanguri.

Kur kërkesat i janë refuzuar, ai është tallur me to.

“Kur jeni të dënuar në qeli dhe nuk keni me çka të argëtoheni, ju mund ta gëzoni veten me kësi procedura administrative të burgut”, pati thënë ai përmes një postimi në Instagram në muajin qershor.

*Video nga arkivi: Navalny: E di kush donte të më vriste

“Përralla dhe libra komikë”

Navalny e ka shfrytëzuar daljen e tij të fundit para gjykatës, më 20 korrik, për të folur për shtetin e tij, dhe jo për veten.

Ai ka thënë se Rusia, nën Putinin “ka bërë kërcime të mëdha, mirëpo më pas ajo ka shkatërruar gjithçka”.

Secila ditë në burg e bën atë më të fuqishëm, duke e vërtetuar se ai ka të drejtë edhe në aspektin historik".

“Tani ajo është e zhytur në baltë dhe gjak, me eshtra të thyer, e varfër dhe e vjedhur, dhe me dhjetëra mijëra njerëz që kanë vdekur në një prej luftërave më pakuptim të shekullit 21”.

“Mirëpo, herët apo vonë, do të ngrihet sërish. Varet prej nesh se si do të duken themelet e së ardhmes”.

Kthimi i Navalnyt në Rusi dhe deklaratat e tij prej burgut kanë ngritur pikëpyetje në gjithë shtetin.

“Navalny është irritues për ata që jetojnë me bindje të paracaktuara”, ka thënë analisti Kolesnikov.

“Zakonisht ata e jetojnë jetën e tyre dhe nuk duan që askush t’iu ndërhyjë. Madje nuk e duan as ndërhyrjen e Putinit”.

Gazetari nga Moska Andrei Loshak, e ka shënuar përvjetorin e parë të kthimit të Navalnyt në Rusi, duke folur për “heshtjen” e popullatës ruse.

“Secila ditë në burg e bën atë më të fuqishëm, duke e vërtetuar se ai ka të drejtë edhe në aspektin historik”, ka shkruar Loshak në janar të vitit 2022.

“Mirëpo ai është luftëtari i tretë në këtë betejë. Fatkeqësisht heronjtë e vetmuar fitojnë vetëm në përralla dhe libra komikë. Në realitet, rezultati do të vendoset nga popullata jonë e heshtur”, ka thënë mes tjerash ai.

“Heroi ka bërë gjithçka që ka mundur”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG