Gjykata Komerciale e Kosovës ka marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit qeveritar për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit privat, Klan Kosova.
Në vendimin e marrë më 2 gusht, është thënë se ekzekutimi i vendimit shtyhet deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata për këtë rast.
Më 28 korrik, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e ka konfirmuar pezullimin e licencës së biznesit të Klan Kosovës.
Ajo e ka rikonfirmuar një vendim të 14 qershorit që ia pezullon licencën këtij biznesi me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë - Serbia dhe Gjakovë - Serbia” dhe diçka e tillë shkel Kushtetutën e Kosovës.
Klan Kosova e ka kundërshtuar këtë vendim dhe e ka paditur MINT-in.
Juristja e mediave në Kosovë, Flutura Kusari e ka konsideruar vendimin e 2 gushtit si fitore të parë.
Sipas saj, vendimi i jep hapësirë Klan Kosovës që ta vazhdojë punën lirshëm në 2-3 vjetët e ardhshëm.
“Vendimi i sotëm gjyqësor - ndonëse i përkohshëm - është indikator shumë i fuqishëm që tentativa e Qeverisë për të mbyllur Klan Kosova është e kundërligjshme, arbitrare, joproporcionale dhe me rrezik të madh për pluralizimin e mediave”.
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka mirëpritur vendimin e gjykatës.
"AGK-ja, do të monitorojë nga afër procedurat e tjera në vazhdim, me shpresën që epilogu i shpejtë do të përmbyllë këtë episod të përpjekjes së Qeverisë për të minuar lirinë e medies në Kosovë".
Pas vendimit, Klan Kosova i ka falënderuar gazetarët, shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare për, siç ka thënë, mbrojtjen e lirisë së shprehjes.
Vendimi i gjykatës
Në vendimin e marrë më 2 gusht, Gjykata Komerciale ka thënë se e ka miratuar kërkesën e Klan Kosovës pasi ky biznes e ka “argumentuar faktin se ekzekutimi i vendimeve do t’i sillte dëm, i cili vështirë do të riparohej, si dhe ka argumentuar se shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik”.
Klan Kosova ka thënë se i ka rreth 220 të punësuar dhe qindra kontraktorë komercialë.
Në vendim, gjykata ka thënë se Klan Kosova i ka bërë edhe përmirësimet e nevojshme për regjistrim të biznesit.
“Sipas Certifikatës së Regjistrimit nr. ser. 10076953 dhe informatat e biznesit të lëshuara me datë 21.06.2023, “Klan Kosova” Sh.p.k. është shoqëri tregtare e regjistruar në Kosovë me datë 26.11.2008, me numër unik identifikues 810795297 me seli në Zonën Industriale, ish Fabrika e Amortizatorëve, Prishtinë”.
Gjykata e ka vendosur një afat ankese ndaj këtij vendimi brenda 15 ditësh.
Reagimet për vendimin e MINT
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar më 31 korrik në Prishtinë, kundër, siç kanë thënë, “kontrollit të Qeverisë ndaj mediave”.
Të shqetësuara për këtë rast janë shprehur vendet e QUINT-it: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania dhe Franca.
Në komunikatën e përbashkët, ambasadorët e këtyre vendeve kanë thënë se presin proces ligjor “të drejtë dhe transparent për zgjidhjen e kësaj çështje”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë më 29 qershor se zbatimi i ligjit kundër biznesmenëve që e shkelin atë për përftime financiare, nuk nënkupton sulm ndaj lirisë së mediave.
“Kosova i ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti kryesor i të cilave është media, dhe 114 kompani të licencuara audio-vizuele. Zbatimi i rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore, ‘jo teknikalitet’. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk e kërcënon pluralizmin medial”.
Klan Kosova, televizion privat me seli në Prishtinë, e ka nisur transmetimin më 17 shkurt të vitit 2009.