Muajin e kaluar, autoritetet në Serbi refuzuan që të zgjasnin leje-qëndrimin për një periudhë afatgjate të këshilltarit të qarkut të Shën Petersburgut, Vladimir Volokhonsky.
Një kritik i zëshëm i pushtimit rus të Ukrainës – që nisi në shkurt të vitit 2022 – Volokhonsky ka jetuar në shtetin ballkanik për më shumë se një vit. Ai dhe dy rusë të tjerë emigrantë janë bashkëthemelues të Shoqërisë Demokratike Ruse, e cila vazhdimisht organizon ngjarje për të kundërshtuar politikat e presidentit rus, Vladimir Putin.
“Nuk mendoj se do të më largojnë nga këtu”, tha Volokhonsky për Radion Evropa e Lirë kur u pyet nëse ka frikë se do të ekstradohet në Rusi, ku është rritur lufta kundër kritikëve të pushtimit, të cilët po dënohen me burgime të gjata. “Serbia, në fund të fundit, mbetet një vend që pak a shumë respekton procedurat normale dhe këtu ekstradimi është një çështje e ndërlikuar”.
Megjithatë, ai tha se zyrtarët kufitarë së fundi tentuan që ta pengonin të rihynte në Serbi pas një udhëtimi që kishte bërë jashtë vendit. Megjithëse avokati i tij arriti që të lejonte që ai të hynte në shtet dhe apeloi kundër refuzimit të zgjatjes së lejes së tij të qëndrimit, Volokhonsky shprehu shqetësim se taktika të tilla mund të jenë rezultat i presionit nga forcat e sigurisë së Rusisë që shënjestrojnë disidentët.
“Mbetet të shihet se sa gjerë do të shtrihet praktika e refuzimit të zgjatjes së leje-qëndrimit dhe hyrjes në shtet ndaj aktivistëve më pak të njohur”, tha ai.
Teksa lufta në shkallë të plotë në Ukrainë po vazhdon dhe është në vitin e dytë, pa sinjale se do të përfundojë, shumë rusë që janë kundër luftës u larguan nga shteti në ditët e para të nisjes së pushtimit. Veçanërisht ata që u larguan në ish-shtetet sovjetike sikurse Armenia, Kirgizia dhe Kazakistani, apo në shtetet që mbajnë lidhje të vazhdueshme me Putinin sikurse Serbia, Turqia apo Emiratet e Bashkuara Arabe kanë parë sinjale shqetësuese se Moska mund të jetë duke iu bërë presion qeverive pritëse që të detyrojnë disidentët të kthehen dhe të përballen me hakmarrje në Rusi.
“Nëse një person është shpallur ‘agjent i huaj’ [nga Rusia] apo emri i tij lidhet me ndonjë organizatë që është shpallur ‘ekstremiste’ apo ‘e padëshiruar’, unë do t’iu rekomandoja që të niseshin drejt Evropës sa më shpejt që të mundin”, tha Artyom Bazhenov, ish-koordinator në fondacionin Rusia e Hapur – organizatë e ndaluar në Rusi – i cili është në mërgim që nga viti 2021. Fillimisht ai ishte larguar për në Gjeorgji, por më pas është vendosur në Gjermani.
‘Është e paimagjinueshme’
Muajin e kaluar, disa kanale pro-Kremlinit në Telegram raportuan se Kremlini kishte arritur “disa marrëveshje konfidenciale” me Emiratet e Bashkuara Arabe, “përfshirë marrëveshje për të arratisurit që fshihen në Emirate, të cilët janë në radarin e FSB-së”, thuhej në raportime, duke iu referuar Shërbimit Federal të Sigurisë, që është agjenci e brendshme e sigurisë në Rusi. “Këto marrëveshje përfshijnë aktivizimin e disa mekanizmave për zhvendosjen e tyre në Federatën Ruse”.
“Deri më tani Moska është pajtuar me Emiratet e Bashkuara Arabe, Kazakistanin, Kirgizinë dhe Armeninë për mekanizmat për rikthimin e kriminelëve dhe aktivistëve”, thuhej në raportin e publikuar në Telegram. “Shumë shpejt këto mekanizma do të funksionojnë edhe me Turqinë, Gjeorgjinë dhe Mongolinë”.
Sipas raportimeve, negociata po zhvillohen edhe me Serbinë dhe Tajlandën.
“Mund të supozohet se me këtë kuptohet se hapësira e informacionit ‘po pastrohet’ para zgjedhjeve presidenciale për të minimizuar rrezikun nga jashtë, apo më mirë thënë, ndaj kandidatit kryesor”, u shtua, duke iu referuar zgjedhjeve presidenciale ruse të caktuara për marsin e vitit 2024, në të cilat Putin pritet të kërkojë dhe fitojë edhe një mandat të ri presidencial. Përpjekja e supozuar, sipas raportit, po koordinohet nga administrata presidenciale ruse.
Demografët e pavarur Aleksei Raksha dhe Yulia Florinskaya kanë vlerësuar se numri i përgjithshëm i qytetarëve që kanë emigruar nga Rusia më 2022 ka qenë ndërmjet 400.000 deri në 800.000. Afër 100.000 rusë janë larguar për në Gjeorgji dhe shifër e ngjashme kanë ikur për në Kazakistan. Të paktën 50.000 persona janë larguar në Serbi, 40.000 në Armeni dhe nga 30.000 persona kanë ikur në Izrael, Kirgizi dhe në shtete të Bashkimit Evropian.
Aleksandr Morozov, hulumtues në Qendrën për Studime ruse Boris Nemtsov në Universitetin Çarls të Pragës, tha se disidentët rusë jashtë shtetit kanë pak arsye që të kenë frikë.
“Asnjë shtet nuk do t’ia dorëzojë Rusisë aktivistët politikë”, tha ai për REL-in. “Është e paimagjinueshme, edhe ndaj tyre janë hapur raste penale nën akuza për ekstremizëm”.
Qeveritë në mbarë botën, shtoi ai, janë të vetëdijshme se sa “kollaj” Rusia përdor termat “ekstremizëm” dhe “terrorizëm”. Nën kushtet e kohës së luftës, avokatët nuk duhet të kenë shumë probleme, në pothuajse të gjitha shtetet, që të luftojnë kundër dëbimit të rusëve.
“Thashethemet për disa lloje marrëveshjesh që kemi parë në kanalet në Telegram duhet të shihen si masa kundër emigracionit”, tha ai. “Ka shumë të ngjarë që ato janë rezultat i një urdhri nga Putini për të ndaluar njerëzit që të largohen nga shteti”.
“Besnikëri ndaj Kremlinit”
Aktivistja ruse, Alyona Krylova, u arrestua në kryeqytetin kirgiz, Bishkek, më 4 qershor. Ish-zëdhënëse e një organizate për të drejtat e njeriut në Rusi, ajo po ashtu është bashkëthemeluese e organizatës Rezistenca e Majtë, që është shpallur organizatë ekstremiste nga Qeveria ruse. Në Rusi ndaj saj janë ngritur akuza për krijimin e një organizate terroriste dhe Krylova për këtë gjë mund të dënohet deri me gjashtë vjet burgim.
“Është e mundur që të ketë edhe dënime më të lehta”, tha avokati i Krylovës, Marat Kydyrov më 30 korrik. “Sikurse gjobë, shërbim në komunitet apo arrest shtëpiak. Prandaj, ajo ka zgjedhur ekstradimin me shpresën se do të marrë dënim më të lehtë. Ne po plotësojmë kërkesën e saj dhe nuk do të apelojmë vendimin”.
Kydyrov shtoi se ai pret që ekstradimi i klientes së tij të ndodhë në një të ardhme të afërt, duke shtuar se burri i saj do të vazhdojë të qëndrojë në Kirgizi.
Grupi i Rezistencës së Majtë ka organizuar një sërë protestash kundër pushtimit rus të Ukrainës. Aktivisti tjetër i kësaj organizate, Lev Skoryakin, po ashtu është arrestuar në Bishkek në qershor dhe po lufton për të parandaluar ekstradimin në Rusi. Avokatët e tij i thanë REL-it se e kanë ndihmuar aktivistin që të aplikojë për statusin e refugjatit. Ai në Rusi përballet me akuza për “huliganizëm”.
Më 6 qershor, autoritetet në Bishkek e pranuan se kanë dëbuar aktivistin rus kundër luftës, Aleksei Rozhkov. Ai akuzohet për sulm me zjarr në një qendër për rekrutim ushtarak jashtë Jekaterinburgut në mars të vitit 2022. Për këto akuza, Rozhkov mund të dënohet deri me 15 vjet burgim.
Ilya Shumanov, drejtor i përgjithshëm i organizatës Transparency International në Rusi, tha se e sheh ekstradimin e Rozhkovit dhe arrestimin e të tjerëve si rezultat “i presionit të autoriteteve ruse ndaj Qeverisë kirgize, e cila është e gatshme të përmbushë kërkesat [e Rusisë] për të demonstruar besnikërinë ndaj Kremlinit”.
Modeli aktual “i bashkëpunimit është bashkëpunimi i agjencive të zbatimit të ligjit” të të dyja shteteve, tha ai për Shërbimin Kirgiz të REL-it.
“Dhe nuk është vetëm Kirgizia”, shtoi ai. “Ne po dëgjojmë për situatë të njëjtë edhe në Kazakistan dhe Armeni”.
Shumanov e pranoi se numri i shteteve që janë të gatshme të ekstradojnë aktivistë politikë në Rusi është i vogël sepse “nëse veprojnë kështu, atëherë do të kenë pasoja negative nga komuniteti ndërkombëtar”.
Në mars, megjithatë, organizata joformale me seli në Kirgizi, Krasnaya Krysha, që është një nismë e aktivistëve emigrantë rusë dhe vullnetarëve, u mbyll. Mbyllja e kësaj organizate u tha se u bë për shkak të presionit të madh nga autoritetet kirgize, sikurse ato të taksave dhe ofruesit të shërbimeve komunale. Më e rëndësishmja, aktivistët thanë se agjentët nga Shërbimi Kundër Ekstremizmit dhe Migrimit Ilegal i kanë kërcënuar se do t’i dëbojnë.
Kirgizia, Rusia dhe Kazakistani në qershor nënshkruan një marrëveshje trepalëshe për shkëmbimin e të dhënave personale. Sipas kësaj marrëveshjeje, qeveritë do të ofrojnë, në bazë të kërkesave, informacione lidhur me shtetësinë, pronat e regjistruara, obligimet ligjore dhe të dhënat penale për personat që janë nën juridiksionin e tyre.
Aktivistët për të drejtat e njeriut kanë ngritur alarmin për pasojat e mundshme nga marrëveshja për disidentët rusë kundër luftës dhe të rinjve që janë larguar nga Rusia për të shmangur mobilizimin ushtarak. Rusia raportohet se i ka kërkuar Kirgizisë informacione për afër 85.000 persona dhe kjo kërkesë mund të ketë çuar deri tek arrestimi i Krylovës dhe Skoryakinit.
“Shumë punë”
Në Serbi, aktivisti rus kundër luftës Volokhonsky, tha se autoritet “qartazi nuk duan” asnjë aktivitet politik që mund të zemërojë Kremlinin.
“Sa më përket mua, disa herë nuk jam ndier i sigurt në Serbi. Dimrin e kaluar, dikush vizatoi një Z të madhe në derën time”, tha ai, duke iu referuar simbolit të përdorur nga Qeveria ruse dhe aleatët e saj për të shfaqur mbështetjen për pushtimin e Ukrainës. “Për dallim nga Rusia, policia të paktën tentoi të më mbronte me aq sa mundi. Nëse këtu dilni në rrugë dhe protestoni, policia iu mbron”.
Ai shtoi se megjithatë duke pasur parasysh ballafaqimin e tij të fundit me autoritetet në Serbi, ai po shqyrton mundësinë që të aplikojë për azil në Gjermani.
Alyona Lakomkina u largua nga Rusia në maj të vitit 2022 pasi shtëpia e saj në qytetin Tver u bastis dhe ajo u arrestua për punën e saj që bënte në organizatën e politikanit të burgosur opozitar rus, Aleksei Navalny. Pasi u mor në pyetje ajo u lirua dhe menjëherë u largua për në Kirgizi, e më pas në Armeni.
Ai rikujtoi një momentin kur thirri babanë e saj nga aeroporti për t’i thënë lamtumirë.
“Për herë të parë në jetën time, ai më tha se ishte krenar me mua, për atë që po bëja”, tha Lakomkina për REL-in. “Ai më kërkoi që të mos të kthehesha derisa të përfundojë e gjithë kjo”.
Tani, megjithatë, kjo aktiviste thotë se nuk ndihet “100 për qind e sigurt” në Armeni. Ajo beson se ka oficerë rusë të FSB-së në çdo pikëkalimi kufitar me Armeninë dhe brenda vetë Armenisë.
Tani për tani, tha ajo, rastet penale ruse, në të cilat ajo ende zyrtarisht konsiderohet “dëshmitare”, janë ngrirë.
“Por, nëse ata iniciojnë aktakuza dhe lëshojnë urdhërarrestime, unë mund të përballem me dëbim”, tha ajo. “Por, pak a shumë e di se çfarë duhet të bëj nëse kjo ndodh”.
Lakomkina tha se shumë rusë në Armeni, që janë kundër luftës, janë të bindur se autoritetet lokale do t’i dorëzonin ata te Rusia, nëse Moska do të kërkonte diçka të tillë. Megjithatë, ajo ka shpresën e ka varur te shoqëria civile armene, duke theksuar se ka aktivistë në këtë shtet “që nuk do të lejojnë asgjë e keqe të ndodh”.
Hera e fundit që ajo komunikojë përmes emailit me hetuesin që merret me çështjen e saj në Rusi, ai dukej se po tentonte të minimizonte frikën se ajo mund të ekstradohet.
“Ai tha se veçse ka shumë punë për të bërë, duke pasur parasysh situatën brenda shtetit”, shpjegoi ajo.
Maksim Ivantsov u largua nga Rusia për në Gjeorgji në ditën e parë të pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ai tha se nuk ka frikë nga ekstradimi, por shtoi se nuk ndihet i sigurt. Ai është i shqetësuar se nëse largohet nga shteti, nuk do të lejohet që të hyjë sërish.
“Nëse një person shpallet agjent i huaj apo ekstremist, ka shumë gjasa që atij t’i ndalohet hyrja në Gjeorgji”, tha ai. “Por, ata thjesht nuk do ta dorëzonin dikë. Kjo do të përbënte minuse të mëdha për Gjeorgjinë, sikurse përkeqësimi i raporteve me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara”.
Autoritetet në Gjeorgji po ashtu do të përballeshin me reagim të ashpër politik, pasi shumica e gjeorgjianëve e shohin Qeverinë ruse negativisht.
“Mendoj se për aq kohë sa Gjeorgjia po mban zgjedhje, nuk do të ketë raste të ekstradimit”, tha ai.