Ndërlidhjet

Refuzohet ankesa e Klan Kosovës ndaj pezullimit të certifikatës së biznesit


Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e ka hedhur poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat, më 28 korrik.

Më 14 qershor Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ngriti kallëzimi penal ndaj Shoqërisë Tregtare, Klan Kosova.

Kallëzimi penal u ngrit me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë - Serbia dhe Gjakovë - Serbia”.

Pas kësaj, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve, ARBK, anuloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës por më 21 qershor, ajo e shfuqizoi vendimin. Megjithatë, një ditë më vonë, ARBK-ja anuloi vendimin e 21 qershorit.


Ky vendim i ARBK-së riktheu në fuqi masën e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat.

Pas ankesës së Klan Kosovës, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve vendosi më 28 korrik ARBK-ja kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës".

“Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë. Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhet në njoftimin e MINT-it.

“Komisioni i Ankesave ka evidentuar po ashtu se përpjekjet e vonuara të palës për t'i korrigjuar shkeljet e saj ndër vite, ende nuk kanë shkuar deri në fund”, është shtuar.

Vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente, njoftoi MINT të premten.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar të premten vonë, duke kërkuar që çështja e licencës së televizionit të bëhet "duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit".

"Liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike. Është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë", thuhet në një komunikatë për media të presidencës.

Klan Kosova ka thënë pas vendimit se "në asnjë rrethanë nuk do ta pranojë një qasje të tillë autoritare" nga institucionet e shtetit dhe se çështjen do ta dërgojë në gjykatë.

“Pavarësisht se Klan Kosova SH.P.K. ka ndërmarrë hapat e rregullimit të dokumentacionit sipas udhëzimeve të MINT për të përmirësuar çështjen teknike në regjistrim, vendimi i Komisionit është refuzues, dhe si i tillë arbitrar dhe i papranueshëm për shoqëritë demokratike dhe shtetet ligjore”, thuhet në njoftimin e Klan Kosovës.

Juristja e së drejtës së medias në Prishtinë, Flutura Kusari, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Rozeta Hajdari sot "kanë marrë vendim politik për të mbyllur Klan Kosoven".

Ajo e përshkroi vendimin si "sulmi më i madh" që i është bërë pluralizmit të medias dhe demokracisë në Kosovës nga një parti politike.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AKG) është shprehur i “alarmuar” me vendimin e Komisionit të Ankesave për të refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova, duke e cilësuar atë si të “motivuar politikisht” nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti.

“AGK-ja beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend. Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve”, thuhet në një reagim të asociacionit.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe sekretar i përgjithshëm i Federatës së Gazetarëve Evropianë (FGE), Ricardo Gutierrez, i cili shkroi në Twitter se Kosovën e kanë mbuluar “ditë të zeza të censurës shtetërore”, dhe se Qeveria më në fund “korri sukses në mbylljen” e Klan Kosovës.

“Qeveria e Albin Kurtit po e zhyt vendin në liberalizmin më konservator, duke i përbuzur plotësisht vlerat e BE-së”, shkroi Gutierrez.

Çfarë ndodhi me Klan Kosovën?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:08 0:00

Televizioni kombëtar privat, Klan Kosova, ka nisur transmetimin më 17 shkurt të vitit 2009.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, kishte thënë se po e ndiqte nga afër rastin e Klan Kosovës dhe se vendimi për licencën e tij të biznesit ishte ende objekt ankimimi.

“Po e vërej shqetësimin e përhapur në shoqërinë civile dhe u bëj thirrje institucioneve relevante që të mendojnë me shumë kujdes për çfarëdo mase të mëtejshme si pasojë e kësaj, dhe të marrin parasysh implikimet më të gjera për lirinë e medias në Kosovë”, kishte shkruar Abbott në Twitter.

Në atë kohë, vendimin e Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Ambasada e Italisë përmes një postimi në Twitter e quajti "të papritur".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG