Trupat ukrainase janë përfshirë në luftime të ashpra në disa zona të frontit, teksa kundërofensiva e Kievit duket se po shton intensitetin në rajonin jugor të Zaporizhjas pas disa muajsh përparimi të ngadaltë, thonë zyrtarët ushtarakë nga Ukraina.
Ushtarët ukrainas luftuan në më shumë se 30 beteja gjatë 24 orëve të fundit dhe arritën të bllokojnë tentativën e avancimit të forcave ruse në zonën Lyman të rajonit lindor të Donjeckut, ku Moska ka shtuar trupat e saja gjatë javëve të fundit, raporton Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në mëngjesin e 28 korrikut.
Forcat ukrainase zmbrapsën disa sulme ruse në zonat e Bahmutit dhe Avdivkës të Donjeckut, tha ushtria, ndërsa vazhduan operacionet sulmuese në zonat e Melitopolit dhe Berdyanskut të Zaporizhjas, tha ushtria.
Në Avdivka, një civil u vra dhe tre të tjerë u plagosën nga bombardimet ruse gjatë ditës së kaluar, tha më 28 korrik në Telegram guvernatori rajonal i Donjeckut, Pavlo Kyrylenko.
Më 27 korrik, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se ushtarët ukrainas kanë rimarrë një fshat në rajonin e Donjeckut.
“Brigada e 35-të dhe njësia e mbrojtjes territoriale ‘Ariy’ kanë përmbushur detyrën e tyre dhe kanë çliruar fshatin Staromayorske. Lavdi Ukrainës!”, tha një ushtar në një video që Zelensky e postoi në rrjete sociale. REL-i nuk ka mundur ta verifikojë videon.
Fshati shtrihet në jug të një grupi vendbanimesh të vogla që Ukraina i rimori gjatë kundërofensivës që nisi në fillim të qershorit.
Zelensky e ka pranuar që përparimi në kundërofensivë ka qenë më i ngadalshëm seç dëshironte, por më 26 korrik ai tha se do të kishte lajme të mira për të ndarë ditën tjetër.
Andriy Kovalev, një zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm, konfirmoi se trupat ukrainase shënuan suksese në zonën Staromayorske të rajonit Donjeck në frontin jugor dhe zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Malyar, raportoi gjithashtu se Staromayorske ishte çliruar.
“Mbrojtësit tanë aktualisht po kryejnë operacione pastrimi” të trupave ruse, tha ajo në Telegram.
Ushtria ukrainase nuk ka dhënë shumë informacione në lidhje me gjendjen e kundërofensive të saj në territoret e pushtuara nga Rusia në juglindje. Por dy zyrtarë amerikanë i thanë CNN më 27 korrik se Ukraina po dërgonte më shumë trupa dhe fuqi zjarri në zonë, duke lënë të kuptohet se Kievi ka vërejtur potencialisht një pikë të dobët në mbrojtjen e Rusisë atje.
Presidenti rus, Vladimir Putin, më 27 korrik pranoi se luftimet në rajonin Zaporizhja të Ukrainës juglindore janë “intensifikuar ndjeshëm”, por pretendoi se tentimet e Ukrainës ishin të pasuksesshme.
Në frontin diplomatik, Japonia më 28 korrik njoftoi se po zgjeronte sanksionet e saj kundër Rusisë për të përfshirë gjithashtu një ndalim të eksporteve të automjeteve elektrike.
Masat e reja ndëshkuese u miratuan nga kryeministri Fumio Kishida më 28 korrik dhe do të hyjnë në fuqi më 9 gusht.
Japonia kishte ndaluar paraprakisht shumë kategori të eksporteve në Rusi.