Kritikat e bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti të SHBA-së, janë alarmi i fundit për institucionet që të ndërmarrin masa serioze për luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe largimin e ndikimit politik ndaj gjyqësorit, thonë njohësit e çështjeve juridike në Maqedoninë e Veriut.
Më 19 korrik, SHBA-ja e futi në listën e zezë biznesmenin Jordan Orce Kamçev, për të gjitha veprat korruptive që dyshohet t’i ketë bërë nga viti 2000 e këndej.
Vetëm një ditë më herët, në listën e zezë u përfshi edhe “Cytrox”, një kompani maqedonase vëzhgimi me bazë në Hungari, e dyshuar për veprimtari spiunazhi duke shfrytëzuar hapësirën kibernetike për të fituar qasje në sistemet e informacionit.
Atyre u parapriu futja në listën e zezë e kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, më 20 qershor. Merko dyshohet për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore, që sipas Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), kanë dëmtuar besimin e publikut në institucionet dhe zyrtarët demokratikë të Maqedonisë së Veriut.
Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës, dhe Dane Iliev, ish-anëtar i Gjykatës Supreme, thonë se “këto vendime si asnjëherë më parë vënë në dukje mosfunksionimin e gjithë sistemit të drejtësisë”.
“Kjo tregon se janë të pashmangshme reformat në drejtim të ndryshimit organizativ dhe marrjes së përgjegjësive nga të gjithë gjyqtarët e përfshirë në sistemin e drejtësisë. Gjyqësori nuk mund të funksionojë me kritika të tilla. Situata është alarmante, prandaj duhen masa urgjente. E gjithë kjo është pasojë e mungesës së efikasitetit dhe profesionalizmit, por mbi të gjitha ndikimeve politike dhe korrupsionit”, thotë Iliev.
Ndërkohë, profesori Bashkimi Selmani thotë se SHBA-ja me tri vendimet e fundit e ka bërë atë që institucionet nuk e kanë bërë me vite.
“Mbi të gjitha duhet vlerësuar këto vendime pasi SHBA-ja po e bën atë që nuk arritën ta bëjnë gjykatësit maqedonas. Ata po e japin mesazhin se duan ta vendosin në funksion shtetin e së drejtës dhe kur kjo do të ndodhë, atëherë do të përmirësohet edhe jeta e qytetarëve”, thotë Selmani.
Por, ai thekson se masat duhet të jenë edhe më të fuqishme me përfshirjen më aktive edhe të Bashkimit Evropian, aty ku Maqedonia e Veriut synon të anëtarësohet.
“Duhet të merren masa akoma më rigoroze. Do të ishte mirë që Evropa të insistonte në këtë më shumë dhe të merrte drejtimin e gjykatave me resurse njerëzore, pasi vetëm kështu mund të zgjidhet problemi. Përndryshe kështu mbetet edhe një kohë të gjatë, sepse ata nuk i përfillin kritikat e shteteve mike të Maqedonisë së Veriut. Pa veprime më të fuqishme, problemi do të zgjasë akoma më shumë”, vlerëson Selmani.
Disa nga aksionet e ndërmarra së fundit nga policia dhe organet e drejtësisë për arrestimin e një grupi të personave të përfshirë në vepra korrupsioni, si shpëlarje parash dhe evazion fiskal, njohësit e çështjeve juridike, i cilësojnë vetëm si “përpjekje për hedhje pluhur syve”, pasi, sipas tyre, tashmë edhe qytetarët e dinë se ku qëndron burimi i së keqes në Maqedoninë e Veriut.
Udhëheqësit e institucioneve disa herë kanë thënë se “prioritet i punës së tyre mbetet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, por nuk ka pasur rezultate deri më tani.
Gjykatat në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht se ligjet në fuqi rregullojnë mënyrën e zgjedhjes së tyre, vazhdojnë të udhëhiqen nga persona të afërt me partitë politike.
Në krye të Prokurorisë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit është Islam Abazi, emërimi i të cilit u kritikua edhe nga SHBA-ja, për shkak të afërsisë së tij me drejtuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, sipas të gjitha hulumtimeve të opinionit publik, kanë besueshmëri shumë të ulët në gjyqësor.
Hulumtimi i fundit i “Balkan Public Barometer” e nxjerr Maqedoninë e Veriut në vend të parë në rajon sa i përket mungesës së besimit në institucionet gjyqësore. Tetëdhjetë e dy për qind e të ankuarve kanë thënë se nuk kanë besim në organet drejtësisë, që është 10 për qind më shumë se hulumtimi i vitit të kaluar.