Ndërlidhjet

Pritje me muaj për kontroll te mjeku specialist


Pritjet e pacientëve në një spital në Shkup - Fotografi nga arkivi.
Pritjet e pacientëve në një spital në Shkup - Fotografi nga arkivi.

Për një kontroll te mjeku specialist qytetarët në Maqedoninë e Veriut presin me muaj.

Një nga ta është dhe Dijana Tozia. Ajo tregon për Radion Evropa e Lirë se është detyruar që vizitën mjekësore ta bëjë te një mjek në një klinikë private pasi nuk ka arritur të sigurojë një termin te specialisti për problemet me mëlçinë.

“Gjëja më e komplikuar është sigurimi i një kontrolli te specialisti. Dhimbjet në stomak bëheshin të padurueshme, andaj vendosa të paguaja nga xhepi në një klinikë private. Ishte e pamundur të prisja deri në mes të gushtit, kur ishte dhe termini i lirë”, tregon ajo.

Edhe Mira, nënë e një foshnje 6-muajshe thotë për Radion Evropa e Lirë se ka qenë e befasuar kur mjeku amë i ka thënë se termin të lirë për kontroll tek ortopedi për foshnjën e saj ka vetëm pas dy muajve, në shtator.

“Kur më tha mjekja se duhet të pres dy muaj për të kontrolluar foshnjën tek ortopedi thjesht nuk po u besoja veshëve. Dhe, më tragjikja është se s`ka asnjë zgjidhje tjetër përpos që të shkoj te mjeku ortoped privat”, thotë Mira.

Ajo tregon se tashmë ka caktuar terminin te një ortoped në një klinikë private ku i duhet të paguajë 1.200 denarë pavarësisht se paguan sigurim shëndetësor.

Dy deri në tre muaj pritje për një kontroll te mjeku specialist

Mjekët amë thonë se për caktimin e një termini për kolonoskopi (kontrolli i
zorrës së trashë), kontroll onkologjik, rezonancë magnetike, tomografi kompjuterike, pacientët detyrohen të presin nga dy deri në tre muaj.

Ata theksojnë se për çdo ditë ballafaqohen me ankesat e pacientëve pasi nuk arrijnë të marrin shërbimet e mjekësisë sekondare në kohën e duhur.

“Shumë deficitar mbeten terminët për kontroll te mjeku specialist neurolog, gastroenterolog, por më problematikë mbeten terminët tek ortopedi dhe fizioterapeuti, ku për kontroll pacientët detyrohen të presin madje 2 deri në tre muaj”, thotë për REL-in mjekja Biljana Hristova.

Lilia Çollakova-Dervishova, nga Shoqata e Mjekëve Amë thekson si më problematik caktimin e një termini për kontroll te specialisti në qytetet më të vogla.

“Nëse nuk ka mjek specialist në qytetet më të vogla, pacientët për sëmundje të caktuara drejtohen në Klinikën e Shkupit, e cila edhe ashtu është mbingarkuar dhe në këtë mënyrë diagnostikimi i sëmundjeve shtyhet dhe me këtë dhe terapia” thotë ajo për REL-in.

Mungesa e mjekëve specialistë është njëri nga problemet që shkakton pritje të gjata për caktimin e termit për një kontroll.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se për të shmangur problemet me bllokimin terminëve nga vetë mjekët specialistë bëhen kontrolle nga Ministria e Shëndetësisë se cilët mjekë lëshojnë më pak terminë për kontroll.

“Caktimi i kontrolleve përmes platformës ‘Termini im’, sot e kësaj dite duket qartë se ka probleme në klinika të caktuara. Në çdo institucion dërgojmë kontrolle, në fillim ju tërheqim vërejtjen, u themi që të hapin terminë për pacientët. Në rastet kur nuk hapin, ne kemi mundësi ligjore, kemi ingerenca të plota në tërë sistemin shëndetësor, në rast se një koleg i caktuar nuk hap termin, ne nga ‘Termini Im’ urdhërojmë të hapen 20 terminë tek ai mjek”, sqaron për REL-in, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.

I pyetur nëse deri më tani është dënuar ndonjë mjek, i cili e ka keqpërdorur platformën “Termini im”, ministri Mexhiti thotë se sapo ka marrë drejtimin e dikasterit të Shëndetësisë dhe për të më e rëndësishme është që mjekët të vendosen në shërbim të pacientëve dhe jo të dënohen.

“Nuk shkojmë menjëherë të dënojmë, nuk kemi për qëllim që t’i dënojmë punëtorët e shëndetësisë. Ne në fillim apelojmë, kemi mekanizma dhe masa të tilla apelojmë, njoftojmë, nëse nuk bëhet kjo, atëherë kërkojmë nga menaxheri i klinikës të çohet në masa disiplinuese, të përgjigjet se përse. E, në fund, nëse nuk bëhet kjo, atëherë do të sanksionohet edhe menaxheri i institucionit shëndetësor, apo klinikës, si edhe mjeku. Me këtë nuk do të ndalojmë, do të shkojmë deri në fund”, shprehet Mexhiti.

Sistemi elektronik për caktimin e kontrolleve te mjekët specialistë “Termini im” ka filluar të aplikohet nga viti 2014, si mekanizëm për të shmangur radhët dhe pritjet e gjata të pacientëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG