Ndërlidhjet

“Dodik, më i afërt me Putinin sesa me Vuçiqin”


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (majtas), dhe presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, duke u përqafuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Sarajevës, më 2 mars 2021.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (majtas), dhe presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, duke u përqafuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Sarajevës, më 2 mars 2021.

“Krizë e madhe dhe e vështirë” - kjo është gjithçka që mund të dëgjohet nga zyrtarët në Beograd, prej se përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë anuloi dy vendime të Banjallukës që bien ndesh me Marrëveshjen e Dejtonit.

Këtë vlerësim e bëri presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se “nuk do të komentojë më për këtë”.

Asambleja kombëtare e Republikës Sërpska - entitet në Bosnje e Hercegovinë - vendosi më herët që në territorin e saj të mos zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës dhe të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.

Qeveria dhe Presidenca e Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me vendimet e Banjallukës dhe reagimet e përfaqësuesit të lartë, si dhe nëse dy institucionet planifikojnë të përfshihen në qetësimin e situatës.

Në vitin 2006, Beogradi dhe Banjalluka nënshkruan një marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve të posaçme paralele.

Dy dekada më vonë, lidhjet u zhvilluan në të gjitha drejtimet - nga festa e përbashkët e “unitetit serb” - përmes Ligjit për ruajtjen e alfabetit cirilik dhe programeve dhe teksteve të përbashkëta shkollore - deri te bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Çfarë mund të bëjë Vuçiq?

Profesori në Universitetin Regent’s në Londër, Neven Angjelliq, thotë për Radion Evropa e Lirë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të përpiqet të mos ndërhyjë, për aq kohë sa të jetë e mundur.

Neven Angjelliq
Neven Angjelliq

“Kur të ketë presion mbi të, si nga nacionalistët më të mëdhenj brenda Serbisë, ashtu edhe nga Republika Sërpska, për të bërë diçka si lider i supozuar i të gjithë serbëve, ai do të duhet të paraqitet sikur po bën diçka”, thotë Angjelliq.

Por, ai beson se Vuçiq nuk mund të bëjë shumë në këtë moment.

“Ai mund të përpiqet t’i vetëdijesojë njerëzit udhëheqës në Republikën Sërpska, në një farë mënyre”, thotë Angjelliq.

Ai shton se aleanca perëndimore është shumë e kujdesshme për shkak të situatës në botë - para së gjithash pushtimit rus të Ukrainës - dhe se nuk do t’i injorojë sfidat, siç është aludimi për mosbindje brenda Bosnje e Hercegovinës.

Për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës fqinje, i cili ka hyrë në vitin e dytë, vendet kryesore perëndimore janë bërë më të ndjeshme ndaj sfidave të stabilitetit në Evropë, si Bosnje dhe Hercegovina dhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Angjelliq thotë se interes primar i Vuçiqit dhe i shumicës së shoqërisë në Serbi është që të mos e pranojnë faktin se Kosova është shtet i veçantë.

“Në këtë aspekt, ata janë të gatshëm të paguajnë, pra të ofrojnë një politikë të caktuar ndaj Bosnje e Hercegovinës, të tillë çfarë u kërkohet”, thotë Angjelliq.

Kosova e shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Nga viti 2011, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Çfarë tha Vuçiq?

Vuçiq tha se në Republikën Sërpska po ndodh një krizë e madhe dhe e vështirë dhe se ai nuk do të bëjë më deklarata.

Më 2 korrik, ai i tha televizionit Prva të Serbisë se është duke folur me presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe me shumë aktorë dhe njerëz të tjerë në atë entitet.

“Kam frikë se të huajt kanë vendosur të luajnë fuqishëm”, tha Vuçiq.

Aleksandar Vuçiq në Sarajevë, më 2 mars 2021.
Aleksandar Vuçiq në Sarajevë, më 2 mars 2021.

Çfarë e përkeqësoi situatën?

Asambleja kombëtare e Republikës Sërpska vendosi më 27 qershor që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës të mos zbatohen më në territorin e këtij entiteti. Propozues të këtij ligji ishin: Dodiku, deputetët dhe Qeveria e Republikës Sërpska.

Më herët, më 21 qershor, Asambleja kombëtare e Republikës Sërpska vendosi, po ashtu, që vendimet e përfaqësuesit të lartë të mos botohen në Gazetën Zyrtare - gjë që është kusht për hyrjen në fuqi të një ligji apo një vendimi.

Më 1 korrik, përfaqësuesi i lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, i anuloi këto dy vendime që bien ndesh me Marrëveshjen e Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnje në vitet ’90, si dhe ndryshoi Kodin Penal të Bosnje dhe Hercegovinës. Ndryshimet në Kodin Penal i referohen faktit se veprimet që cenojnë rendin kushtetues të vendit, do të trajtohen si vepër penale.

Departamenti amerikan i Shtetit e mbështeti përfaqësuesin e lartë në anulimin e vendimeve.

Çfarë tha Dodiku?

Dodiku përsëriti qëndrime jokushtetuese. Ai tha se Asambleja kombëtare nuk do t’i respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës dhe as ato të përfaqësuesit të lartë, Schmidt.

“Ne nuk do të pranojmë asnjë vendim që ai [Schmidt] mori. Nëse Zyra e Prokurorit dhe Gjykata e Bosnjës veprojnë sipas vendimeve të tij, ne do të miratojmë një ligj në Republikën Sërpska, që e refuzon atë prokurori dhe gjykatë”, tha Dodik më 2 korrik.

Duke folur për mediat, Dodik tha gjithashtu se është e mundur që, deri në fund të vitit, “Republika Sërpska të thërrasë një referendum për çështje të rëndësishme”.

Në një përpjekje tjetër secesioniste, ai tha se “deri më tani, nuk po konteston integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës, por po konteston sovranitetin e saj, sepse ai është i kërcënuar”.

Dodik shprehu bindjen se e gjithë kjo është një “sulm i sinkronizuar, i poshtër ndaj Republikës Sërpska dhe Serbisë, me qëllim për t’i përmbysur autoritetet.

“Në këtë moment ka një sulm të sinkronizuar ndaj meje si president i Republikës Sërpska dhe Vuçiqit si president i Serbisë”, tha Dodik.

Në çfarë marrëdhëniesh janë Vuçiqi dhe Dodiku?

Dodik mban marrëdhënie të mira me autoritetet në Serbi, të udhëhequra nga Vuçiq, siç mbajti edhe me të mëparshmit.

Në deklaratat e tij, Dodik nuk e fsheh se për qëndrimet e tij - të cilat hasën në dënime nga Perëndimi - llogarit në mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Dodik është shpesh mysafir në ngjarjet zyrtare të Vuçiqit. Ai ishte një nga folësit në mitingun e organizuar nga Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit, në muajin maj në Beograd.

Ai tubim u mbajt në kohën kur dhjetëra mijëra qytetarë, të pakënaqur me reagimin e Qeverisë serbe ndaj dy vrasjeve masive që ndodhën në maj në Serbi, dolën në rrugët e Beogradit, me ftesë të opozitës.

Dodik tha se kishte shkuar në Serbi për të mbështetur Serbinë dhe në fund të fjalimit tha: “Rroftë Serbia, rroftë Rusia, rroftë Republika Sërpska”.

Qëndrimi ndaj Putinit dhe Rusisë si tregues

Angjelliq, nga Universiteti Regent’s, thotë se marrëdhënia personale mes Vuçiqit dhe Dodikut mund të krahasohet me marrëdhënien ndaj Rusisë dhe presidentit të saj, Vladimir Putin.

“Dodik është një mysafir i shpeshtë në Moskë dhe duket se Putini ka marrëdhënie më të mira me të sesa me Vuçiqin. Vuçiq po përpiqet të jetë bashkëpunues me Bashkimin Evropian dhe të ketë një lloj marrëdhënieje me Rusinë, në radhë të parë për shkak të elektoratit në Serbi”, thotë Angjelliq.

Dodik, presidenti i Aleancës qeverisëse të Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) në Republikën Sërpska, është një udhëheqës pro-rus i serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë.

Millorad Dodik (majtas) dhe Vladimir Putin, në Moskë, më 23 maj 2023.
Millorad Dodik (majtas) dhe Vladimir Putin, në Moskë, më 23 maj 2023.

Ai u takua me Putinin tri herë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022. Takimi i majit në Moskë ishte biseda e tyre e nëntë që nga viti 2014.

Vuçiq nuk e takoi Putinin, prej se Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, në shkurt të vitit 2022. Por, më herët, ai diti të mburrej me numrin e takimeve që kishte zhvilluar me presidentin rus.

Presidenti i Serbisë bisedoi përmes telefonit me Putinin në maj të vitit 2022 - tre muaj pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Asokohe, siç raportoi Vuçiq, ata biseduan për çmimin e gazit - sepse Serbia është kryesisht e varur nga Rusia për energji - por edhe për luftën në Ukrainë.

Vuçiq përsëriti më pas qëndrimin e Serbisë se është e interesuar që paqja të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për sulmin e saj në Ukrainë.

Në të njëjtën ditë, ajo mbështeti integritetin territorial të Ukrainës dhe iu bashkua rezolutave të Kombeve të Bashkuara që e dënojnë agresionin rus.

Çfarë është ajo që Dodiku thotë se duhet ta bëjë?

Dodiku përsëriti disa herë se Bosnje e Hercegovina është një “domosdoshmëri” dhe se Serbia është një “dëshirë”.

“Për ne, Bosnje e Hercegovina është një vend i domosdoshmërisë, jo i dëshirës, dëshira jonë është këtu, zemra jonë rreh për këtë këtu”, tha Dodik në Beograd, me rastin e festimit të Ditës së Republikës Sërpska, në mars të vitit 2018.

Kur në shtator të vitit 2021 në Beograd u shënua “Dita e unitetit serb, lirisë dhe flamurit kombëtar”, Dodik tha se “ne në Republikën Sërpska po e shikojmë Serbinë”.

“Vendi ynë nuk është Bosnje dhe Hercegovina, vendi ynë është Serbia”, tha Dodik në atë ngjarje, në të cilën Vuçiq ishte gjithashtu në rreshtin e parë.

Një vit më vonë, në kremtimin e asaj feste në Bijelinë - qytet në verilindje të Bosnje dhe Hercegovinës - Dodik, si anëtar i Presidencës së këtij vendi, e priti Vuçiqin me fjalët: “President, mirë se erdhe në të tënden dhe në mesin e të tuajve”.

Si reagoi Vuçiq më herët?

Vuçiq e thekson shpesh se Serbia respekton integritetin e Bosnje dhe Hercegovinës dhe integritetin e Republikës Sërpska brenda Bosnje dhe Hecegovinës.

Në janar të viti 2022, Vuçiq ftoi Dodikun dhe përfaqësuesit e tjerë të Republikës Sërpska që të ktheheshin në institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës - gjë të cilën ata e bënë në shkurt.

Që nga korriku i vitit 2021, përfaqësuesit e Republikës Sërpska e bojkotuan punën e institucioneve të Bosnje e Hercegovinës, pasi ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar, Valentin Inzko, imponoi ndryshime në ligjin që e ndalon mohimin e gjenocidit.

Megjithatë, Vuçiq, gjatë takimit me Dodikun në janar të vitit 2022, i kritikoi sanksionet e SHBA-së kundër tij dhe zyrtarëve të tjerë të Republikës Sërpska, duke i cilësuar ato si një “precedent i tmerrshëm”.

Dodik është nën sanksionet e SHBA-së për përpjekje për ta shkatërruar Marrëveshjen e Dejtonit dhe për aktivitete korruptive.

Në prill të vitit 2022, në një intervistë për gazetën britanike, Financial Times, Vuçiq tha se i ka kërkuar Dodikut të mos formonte ushtri.

“I thashë Dodikut të mos formojë ushtri. Dhe ai pranoi... paqja dhe stabiliteti janë gjërat më të rëndësishme në rajon”, tha Vuçiq.

Dodik (majtas) dhe Vuçiq në Banjallukë, ku shikuan një ndeshje basketbolli, më 19 qershor 2023.
Dodik (majtas) dhe Vuçiq në Banjallukë, ku shikuan një ndeshje basketbolli, më 19 qershor 2023.

Në tetor të vitit 2021, Dodik tha se pas gjashtë muajsh do të shpallte pavarësinë e Republikës Sërpska, nëse deri atëherë nuk i kthehen kompetencat, përfshirë edhe ato për forcat e armatosura.

Dodik tha më pas se do të tërheqë pëlqimin e subjekteve të Bosnje dhe Hercegovinës për formimin e Forcave të përbashkëta të Armatosura dhe se do të fillojë procesin e formimit të ushtrisë së Republikës Sërpska.

“Dodik di se si të mbijetojë politikisht”

Angjelliq thotë se Dodik është i vetëdijshëm se një pjesë e elektoratit në Republikën Sërpska e kërkon afërsinë e tij me Vuçiqin.

“Sado të paarsyeshme të jenë disa nga politikat dhe deklaratat e tij, Dodik është shumë i arsyeshëm për sa i përket mbijetesës së tij si politikan”, shprehet Angjelliq.

Ai thotë se Republika Sërpska gjendet aktualisht në një “situatë shumë të vështirë ekonomike”. Sipas tij, Dodik nuk mund ta zgjidhë as vetëm, as me ndihmën e Serbisë, “por, ndoshta, i duket se e ka më të lehtë ta zgjidhë nëse ka mbështetjen e Vuçiqit”.

Vuçiq dhe Dodik, përveç takimeve formale, kanë edhe takime joformale. Pikërisht kështu ishte ai kur ndoqën derbin e basketbollit mes klubeve serbe, Cërvena Zvezda dhe Partizani, në qershor.

Përgatiti: Valona Tela
Kontribuoi: Iva Martinoviq

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG