Presidenti i entitetit Republika Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, ka thënë se Asambleja Kombëtare e entitetit që ai kryeson nuk do t’i pranojë vendimet e marra nga, siç thotë Dodik, “përfaqësuesi i lartë i rremë” Christian Schmidt.
Kjo deklaratë e Dodikut vjen një ditë pasi përfaqësuesi i Lartë i Komunitetit Ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Schmidt, anuloi dy vendime anti-Dejton të asamblesë së entitetit të Republikës Sërpska, lidhur me mospublikimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.
“Ne nuk do të pranojmë asnjë vendim që ai [Schmidt] ka marrë. Nëse Zyra e Prokurorit dhe Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës veprojnë sipas vendimeve të tij, ne do ta miratojmë një ligj në Republikën Sërpska që refuzon atë Zyrë Prokurorie dhe Gjykatë”, tha Dodik, udhëheqësi pro-rus i serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë dhe presidenti i Aleancës qeverisëse të Social Demokratëve të Pavarur në Republikën Sërpska (SNSD).
Në fjalimin e tij për mediat, Dodik tha gjithashtu se është e mundur që “Republika Sërpska të thërrasë një referendum për çështje të rëndësishme” deri në fund të vitit.
Në ushtrimin e tij të fundit të kompetencave të Bonit, Schmidt ndryshoi edhe dispozitat e Kodit Penal të Bosnje dhe Hercegovinës, duke e zgjeruar atë në mënyrë që veprimet që cenojnë rendin kushtetues të trajtohen si vepër penale, njëjtë si mosbindja ndaj vendimeve të Përfaqësueses së Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë.
Zyrtarët e Republikës Sërpska të udhëhequr nga Dodiku kundërshtojnë legjitimitetin e përfaqësuesit të Lartë sepse emërimi i tij zyrtar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u kundërshtua nga Kina dhe Rusia.
Dodik tha se ishte një “sulm i sinkronizuar, i poshtër, i projektuar ndaj Republikës Sërpska dhe Serbisë me qëllim të përmbysjes së autoriteteve në Republikën Sërpska dhe Serbi”.
“Në këtë moment ka një sulm të sinkronizuar ndaj meje si president i Republikës Sërpska dhe Vuçiqit si president i Serbisë”, tha Dodik, pa shpjeguar pse vendimet e përfaqësuesit të Lartë janë “goditje për Serbinë dhe Vuçiqin”, pasi që ato janë të vlefshme dhe të zbatueshme ekskluzivisht në territorin e Bosnje dhe Hercegovinës.
Dodik tha gjithashtu se ai beson në “unitetin e Republikës Sërpska dhe Serbisë” dhe theksoi se ka ardhur koha që Serbia dhe Republika Sërpska ta kenë një politikë të unifikuar për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore serbe.
Ai deklaroi se do t'i shpallë të vlefshme ligjet që ka anuluar Schmidt dhe do ta fillojë procedurën e mospranimit të juridiksionit të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Prokurorisë së Bosnje dhe Hercegovinës dhe Agjencisë për Hetime dhe Mbrojtje në territorin e entitetit të Republikës Sërpska.
Ai theksoi edhe një herë besimin anti-Dejton se Republika Sërpska do të jetë e pavarur një ditë.