Ndërlidhjet

Kurti i quan “të padrejta” masat ndëshkuese të BE-së


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka quajtur masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian “të padrejta” dhe ka thënë se shpreson që ato të jenë të shkurtra pasi që “Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”.

Deklarata e Kurtit vjen një ditë pasi një zëdhënës i Bashkimit Evropian ia konfirmoi Radios Evropa e Lirë se Qeverisë së Kosovës i janë komunikuar masat ndëshkuese qysh më 28 qershor, si pasojë e vlerësimit të BE-së se Kosova nuk ka ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri.

Kurti tha se ai do të vazhdojë me programin e tij qeverisës, pasi që shtoi se “nuk mund të bëj kompromis as me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit”

“Pra, këto nuk janë sanksione. Por, është e vërtetë që janë masa të përkohshme por të padrejta për shkak se Kosova dhe Qeveria e saj janë edhe shteti, edhe ekzekutivi më demokratik, pro-evropian dhe progresist”, tha Kurti.

Ai shtoi se “shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra ashtu që edhe mbështetja edhe ndihma evropiane të jenë të plota, e mbase edhe të rriten”.

Në përgjigjen për REL-in nga një zëdhënës i BE-së numërohen masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës.

Ato përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat tjera përfshirë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.

Për këto masa ishte paralajmëruar publikisht më 27 qershor. Ndërsa, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 29 qershor, Kurti tha se Kosova në disa raste ka qenë kritike ndaj BE-së, por “asnjëherë cinike dhe as e hidhëruar”, duke shtuar se autoritetet nuk janë të hidhëruara as pas prezantimit të masave ndëshkuese.

Nga BE-ja thonë se “po e monitorojnë edhe sjelljen e Serbisë dhe ekziston mundësia që edhe ndaj asaj të merren masa nëse nuk sillet sipas pritjeve për shtensionim të situatës”.

Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.

Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.

Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por për mbajtjen e tyre, ai ka thënë se nevojitet shtet ligjor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG