Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, mbështeti idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, me qëllim uljen e tensioneve mes tyre.
Michel i bëri komentet në prag të një samiti të BE-së, që zhvillon punimet sot dhe nesër në Bruksel.
"Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë - së bashku me disa shtete anëtare të BE-së", tha Michel, duke theksuar edhe nevojën e koordinimit me SHBA-në.
"Mendoj se ka ardhur koha të kemi një qasje globale dhe të bëjmë hapa të qartë drejt normalizimit [të marrëdhënieve Kosovë-Serbi]", tha Michel.
"Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ne kemi thënë se duam të përpiqemi maksimalisht për të bërë diçka për Ballkanin Perëndimor, së bashku me Ballkanin Perëndimor", shtoi ai.
Idenë për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë e shpalosi më 27 qershor kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Atë ditë, Rama bisedoi në Bruksel më zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë Michelin.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë i ka rritur situata në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe.
Tash e një muaj, banorët lokalë atje kundërshtojnë kryetarët shqiptarë të komunave, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.
Protestat e tyre janë përshkallëzuar edhe në përleshje të dhunshme mes demonstruesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.
Ka pasur, po ashtu, disa raporte për sulme me granata dore dhe mjete të tjera në atë zonë.
Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ka hedhur përgjegjësinë kryesisht mbi Kosovën.
BE-ja, më herët, ka dalë me një plan për uljen e tensioneve, i cili, mes tjerash, përfshin shpalljen e zgjedhjeve të reja në veri dhe tërheqjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës nga zona. Plani kërkon, po ashtu, nga Serbia që të sigurojë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja eventuale. Komuniteti serb i ka bojkotuar zgjedhjet e prillit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur pro mbajtjes së zgjedhjeve të reja, por, siç ka thënë, brenda kornizave ligjore të shtetit.
Kurti vazhdimisht këmbëngul se "nuk mund të bëjë kompromise me republikën demokratike".