Ndërlidhjet

Dënohet djegia e Kuranit në Stokholm


Protestuesi para xhamisë qendrore të Stokholmit ku e grisi e pastaj dogji Kuranin.
Protestuesi para xhamisë qendrore të Stokholmit ku e grisi e pastaj dogji Kuranin.

Disa shtete e kanë dënuar ashpër djegien e Kuranit – librit të shenjtë të Islamit – nga një protestues në Stokholm të Suedisë, të mërkurën.

Një person grisi dhe më pas dogji Kuranin para xhamisë qendrore të Stokholmit.

Ai kishte leje që të protestonte para xhamisë të mërkurën, që përkoi me ditën e parë të Festës së Kurban Bajramit.

Por, pavarësisht se kishte dhënë leje për këtë protestë, policia suedeze më pas nisi një hetim për këtë rast.

Ky incident ka zemëruar Turqinë, që e ka cilësuar si akt “të neveritshëm”.

“Mallkoj aktin e neveritshëm të kryer kundër librit tonë të shenjtë, Kuranit, në ditën e parë të Kurban Bajramit”, shkroi në Twitter ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan.

“Është e papranueshme që lejohen këto veprime kundër islamit, nën pretekstin e lirisë së shprehjes. Mbyllja e syve ndaj akteve të tilla mizore të bën bashkëfajtor”, shtoi ai.

Salwan Momika, 37 vjeç, që kishte ikur nga Iraku në Suedi disa vjet më parë, kishte kërkuar leje nga policia për të djegur Kuranin, për “të shprehur mendimin tim për Kuranin”.

Para protestës, ai tha për agjencinë e lajmeve TT se dëshironte po ashtu të theksonte rëndësinë e lirisë së shprehjes.

Mokika shkeli Kuranin, më pas dogji disa fleta të tij, e mbylli librin dhe më pas e shqelmoi.

Salwan Momika, 37 vjeç, që kishte ikur nga Iraku në Suedi disa vjet më parë, kishte kërkuar leje nga policia suedeze për të djegur Kuranin, për “të shprehur mendimin tim për Kuranin”.
Salwan Momika, 37 vjeç, që kishte ikur nga Iraku në Suedi disa vjet më parë, kishte kërkuar leje nga policia suedeze për të djegur Kuranin, për “të shprehur mendimin tim për Kuranin”.

Autorizimi i policisë për këtë protestë u bë disa javë pasi Gjykata e Apelit në Suedi refuzoi një vendim të policisë për të ndaluar dy protesta në Stokholm, ku përfshinin edhe djegien e Kuranit.

Atëbotë, policia suedeze ishte thirrur në shqetësime të sigurisë.

Iraku, po ashtu, e ka dënuar këtë veprim, të cilin e ka quajtur “racist” dhe “të papërgjegjshëm”.

Përmes një deklarate, Qeveria irakiane tha se “aktet e përsëritura të djegies së kopjeve të Kuranit nga individët me mendje ekstremiste demonstrojnë një frymë urrejtjeje dhe agresive që është në kundërshtim me parimet e lirisë së shprehjes”.

Qeveria irakiane theksoi se këto veprime “nuk janë vetëm raciste, por po ashtu promovojnë dhunë dhe urrejtje”.

Edhe Irani e ka dënuar djegien e Kuranit, duke e cilësuar si akt “provokues dhe të papranueshëm”.

“Qeveria dhe populli i Republikës Islamike të Iranit nuk tolerojnë një fyerje të tillë dhe fuqishëm e dënojmë këtë akt”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanani.

Pas kësaj proteste, Maroku e ka tërhequr ambasadori e tij nga Stokholmi.

“Ky akt i ri fyes dhe i papërgjegjshëm shpërfill ndjenjat e mbi një miliard myslimanëve, në kohën kur po bëhet pelegrinazhi në Mekë dhe po festohet Kurban Bajrami”, thuhet në deklaratë.

Kjo nuk është hera e parë që në Stokholm mbahen protesta në të cilat është lejuar djegia e Kuranit. Në janar, në Stokholm një person dogji Kuranin, që çoi në reagim të ashpër të Turqisë.

Ky incident thelloi mospajtimet mes Ankarasë dhe Stokholmit, teksa Turqia ende nuk ka ratifikuar pranimin e Suedisë në NATO.

Turqia ka thënë se bllokimi që i ka bërë Suedisë ka të bëjë me dështimet e këtij shteti për të shtypur grupet kurde, që Ankaraja i cilëson “terroriste”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG