Kur tanket e mercenarëve të Wagnerit lëviznin drejt Moskës më 24 qershor dhe publiku botëror priste lajme për një grushtshtet të mundshëm kundër presidentit rus, Vladimir Putin, ishte e qartë se në prapaskenë po zhvilloheshin edhe negociata. Tema ishte: si të gjendet një zgjidhje për shefin e Wagnerit, Yevgeny Prigozhin?
Po atë ditë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, njoftoi se, pas tentativës për rebelim, Prigozhin “do të udhëtojë për në Bjellorusi”.
Paraprakisht u mësua se presidenti bjellorus, Aleksandr Lukashenko, e bindi Prigozhinin që ta ndalojë lëvizjen e kolonës ushtarake drejt Moskës.
Shërbimi bjellorus i Radios Evropa e Lirë u përpoq të zbulojë se çfarë, në fakt, e lidh Lukashenkon me Prigozhinin?
Takimi në restorantin New Island
Prigozhin nisi biznesin e tij duke hapur një zinxhir restorantesh për shitjen e hotdogëve, në vitet ’90.
Më 1996 vendosi të hapte restorante për elitën.
Më 1998, në Shën Petersburg, bleu avulloren e vjetër “Moskva-177” dhe hapi restorantin New Island mbi të.
Prigozhin ka mundur ta takonte Lukashenkon atje. Në atë kohë, Shën Petersburgu ishte një vendtakim i njohur për elitën politike dhe të biznesit.
Në qershor të vitit 1999, kryeministri i atëhershëm rus, Sergei Stepashin, u takua në këtë restorant me kreun e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Michel Camdessus.
Atje, Putin priti edhe presidentin francez, Jacques Chirac.
Sipas ish-shefit të kompanisë bjelloruse të transmetimeve Belteleradio, Aleksandr Zimovski, Lukashenko dhe Prigozhin u takuan në vitin 2002, pikërisht në restorantin New Island.
“Gjatë vizitës së tij në Rusi në vitin 2002, Lukashenko vendosi të hante drekë me presidentin e Rusisë në Shën Petersburg, në restorantin New Island. Restoranti, shumë i popullarizuar në mesin e elitës financiare dhe politike, i përkiste Yevgeny Prigozhinit. Lukashenkos i pëlqeu ushqimi, për të cilin e falënderoi personalisht Prigozhinin dhe ia shtrëngoi dorën”, tha Zimovski për aif.ru.
Arrestimi i 33 Wagneristëve dhe lëvdatat reciproke
Për kontaktet mes Lukashenkos dhe Prigozhinit gjatë njohjes së tyre 20-vjeçare ka shumë pak informacione.
Në prag të zgjedhjeve në Bjellorusi në vitin 2020, atje u arrestuan 33 pjesëtarë të Wagnerit.
Në atë kohë, media shtetërore bjelloruse raportoi se luftëtarët e Wagnerit, nën kontrollin e Prigozhinit, dyshohet se po planifikonin të merrnin pjesë në trazira në territorin e Bjellorusisë.
Autoritetet ruse pretenduan se ishte një “provokim nga një vend i tretë”, dhe më vonë e akuzuan Ukrainën për këtë “provokim”.
Ukraina këmbënguli në dorëzimin e ushtarëve të Wagnerit që morën pjesë në luftën e separatistëve pro-rusë në rajonin e saj lindor, Donbas.
Luftëtarët e Wagnerit u arrestuan në Bjellorusi më 29 korrik, 2020, dhe më 14 gusht u bë e ditur për kthimin e tyre në Rusi.
Lukashenko tha më pas se djali i tij i madh, Viktor, shkoi t’u kërkonte falje Wagneristëve, përpara se t’iu dorëzoheshin autoriteteve ruse.
Prigozhin nuk e kritikoi Lukashenkon për ndalimin e luftëtarëve të tij, por, përkundrazi, e lavdëroi atë.
“Ai është mjaft kërkues, por gjithmonë merr vendimet e duhura. Mund ta them me besim se unë dhe miqtë e mi e kemi trajtuar gjithmonë me respekt”, tha Prigozhin.
“Lodër në duar të huaja”
Më 6 gusht, 2020, tri ditë para zgjedhjeve në Bjellorusi, Lukashenko i dha intervistë gazetarit ukrainas, Dmitry Gordon. Gjatë bisedës përmendi edhe Prigozhinin.
“Thoni Wagner. Ne e dimë se kush është në krye të strukturës, Zhenja Prigozhin. Kështu e thërras unë, Zhenja. I kemi marrëdhëniet më të mira me të. Të ngushta”, tha Lukashenko.
Ai, po ashtu, tha se Prigozhin është “një lodër në duar të huaja”.
“Sigurisht që më vjen shumë keq që këta Wagneristë janë të lidhur me të. Por, në anën tjetër, është lodër në duar të huaja. Ai nuk merr vendime... Po, ai i organizon, ka punë, ai duhet t’i paguajë... Por, nuk është ai. Dikush më lart. Zëvendësministra”, tha Lukashenko.
Prigozhin, më pas, i konfirmoi fjalët e Lukashenkos për njohjen e tyre, ashtu si edhe “marrëdhëniet e ngrohta”.
“Po, me të vërtetë kam një marrëdhënie shumë të mirë dhe të ngrohtë me të dhe e kuptoj shumë mirë situatën e tij, kur, për shkak të ngjarjeve të rënda në vendin e tij, ishte nën presion të madh nga të gjitha anët. Shumë vende perëndimore u përpoqën ta manipulonin”, tha Prigozhin.
Në maj të vitit 2021, kur avioni i kompanisë Ryanair me gazetarin bjellorus, Roman Pratasevich, në bord u detyrua të ulej në Minsk, Prigozhin e lavdëroi Lukashenkon.
“Lavdi, lavdi Lukashenkos! E respektoj, i përkulem, e mbështes me gjithë zemër. Një burrë i madh që e ndaloi llumin dhe nuk u dorëzua...”, u shpreh ai.
Interesat e biznesit
Interesa biznesore të Prigozhinit në Rusi janë: hoteleria, pastrimi, ndërtimi i objekteve ushtarake, media etj.
Nuk dihet nëse ai ka degë të kompanive të tij në Bjellorusi. Për aktivitetet e Wagnerit në Bjellorusi, në përgjithësi, nuk dihet shumë.
Sipas informacioneve të pakonfirmuara, luftëtarët e kësaj organizate mund t’iu nënshtroheshin stërvitjeve në një nga njësitë bjelloruse të Forcave të Operacioneve Speciale.
Prigozhin u pa për herë të fundit mbrëmjen e 25 qershorit në Rostov të Rusisë.
Lukashenko tha më 27 qershor se ai ka mbërritur në Bjellorusi.