Ndërlidhjet

Bidenit i kërkohet ta bëjë prioritet situatën në Kosovë


Presidenti i SHBA-së, Joe Biden.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Një grup i senatorëve amerikanë kërkoi nga administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që "t'i japë përparësi adresimit të situatës së përkeqësuar të sigurisë midis Kosovës dhe Serbisë".

Letra që përmban nënshkrimet e tetë senatorëve demokratë dhe republikanë, inkurajon presidentin që të shqyrtojë shitjet ushtarake, nëse dy palët nuk angazhohen për propozimin e Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës.

Situata në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është tensionuar qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje kanë hyrë në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

Tensionet kanë kulmuar në dhunë më 29 maj, kur protestuesit serbë janë përleshur me ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR. Dhjetëra të plagosur janë raportuar në të dyja anët.

Derisa Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar, komuniteti ndërkombëtar ka hedhur përgjegjësinë kryesisht mbi Kosovën.

Bashkimi Evropian është duke kërkuar prej saj që të mbajë zgjedhje të reja lokale në veri, si dhe ta tërheqë policinë speciale nga ajo zonë. Nga Serbia, në anën tjetër, kërkon që të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet e mundshme lokale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet mund të mbahen vetëm brenda kornizave ligjore të shtetit.

Letra e tetë senatorëve amerikanë i bën thirrje Bidenit që "të ushtrojë presion diplomatik, për t'i dhënë fund krizës aktuale".

Letra përmend edhe nevojën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, që Kosova dhe Serbia kanë arritur në muajin mars, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

Senatorët paralajmëruan rishqyrtimin e mbështetjes nga Kongresi, nëse Kosova dhe Serbia "dështojnë të ushtrojnë përmbajtje" dhe "të punojnë për shtensionimin e situatës së sigurisë".

Ata kërkuan nga administrata Biden që të sigurojë një raport për Senatin e SHBA-së mbi situatën aktuale të sigurisë në veri të Kosovës.

"Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e vazhdueshme të gati 600 trupave amerikane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it. Ne i vlerësojmë përpjekjet diplomatike të SHBA-së për qetësimin e krizës, por këto përpjekje nuk janë reciproke sidomos nga Kosova", thuhet në letër.

Komuniteti ndërkombëtar ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese kundër Kosovës - përfshirë përjashtimin e saj nga një stërvitje e madhe ushtarake, e udhëhequr nga SHBA-ja - për shkak të mospërfilljes së kërkesave për shtensionimin e situatës në veri. BE-ja paralajmëroi shpalljen e masave ndëshkuese për Kosovën gjatë kësaj jave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG