Ndërlidhjet

NATO thotë se rebelimi i Wagnerit tregoi gabimin e Moskës për sulm ndaj Kievit


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Rebelimi i ndërprerë i grupit mercenar rus Wagner në fundjavë, e ka demonstruar shkallën e gabimit strategjik të Kremlinit kur e ka nisur luftën në Ukrainë, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të hënën.

Rusia ka tentuar të rikthejë qetësinë të hënën, pasi luftëtarët e Wagnerit e kanë ndërprerë avancimin drejt Moskës, janë larguar prej qytetit të kapur rus Rostov-on-Don dhe janë nisur drejt bazave të tyre në orët e vona të së shtunës, pas arritjes së një marrëveshjeje që u garanton siguri.

Sipas marrëveshjes – të ndërmjetësuar nga lideri bjellorus, Alexander Lukashenka - komandanti i tyre, Yevgeny Prigozhin, duhet të shkojë në Bjellorusi.

“Ngjarjet e fundjavës janë një çështje e brendshme dhe një tjetër demonstrim i një gabimi të madh strategjik që presidenti [Vladimir] Putin e ka bërë kur e ka nisur aneksimin e Krimesë dhe luftën në Ukrainë”, ka thënë Stoltenberg nga Vilniusi, kryeqyteti i Lituanisë.

Konfuzioni për ngjarjet e jashtëzakonshme të fundjavës i ka lënë qeveritë e Perëndimit në kërkim të përgjigjeve se çfarë mund të ndodhë në këtë shtet me arsenal të fuqishëm bërthamor – dhe me luftën që vazhdon të zhvillohet në Ukrainë.

Stoltebergu ka thënë se NATO-ja është duke e monitoruar situatën në Bjellorusi dhe e ka dënuar vendimin e Moskës për të dërguar armë bërthamore atje.

“Ne nuk kemi parë shenja që Rusia është duke u përgatitur për t'i përdorur armët bërthamore, mirëpo NATO-ja mbetet vigjilente”, ka thënë Stoltenberg, duke shtuar se mbrojtja e NATO-s është mjaftueshëm e fuqishme për t’i mbajtur njerëzit të sigurt “në një botë të rrezikshme”

Në të njëjtën kohë, Stoltebergu e ka ritheksuar mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për Kievin.

“Nëse Rusia mendon se mund të na frikësojë nga ofrimi i ndihmës në Ukrainë, do të dështojë”, ka thënë ai.

“Ne do të jemi afër Ukrainës sa të ketë nevojë”.

Stoltenberg ka qenë në Lituani për t’i parë nga afërt stërvitjet e NATO-s.

Ai ka thënë se stërvitjet dërgojnë mesazh të qartë se NATO-ja është e gatshme të mbrojë çdo inç të aleancës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG