Ndërlidhjet

Familjarët e të vdekurve në nëndetësen Titan shprehin "mërzinë e thellë"


Nëndetësja Titan.
Nëndetësja Titan.

Familjarët e pasagjerëve të nëndetëses së zhdukur Titan, që tani raportohen si të vdekur, kanë shprehur “mërzi të thellë” për humbjen e më të dashurve të tyre shkaku i asaj që besohet të ketë qenë shpërthim i nëndetëses.

Nëndetësja Titan – e cila dërgon pasagjerë deri në rrënojat e Titanikut, të fundosur në vitin 1912, në Oqeanin Atlantik – ishte zhdukur më 18 qershor. Pas kërkimeve intensive nga shumë shtete, Roja Bregdetare e SHBA-së tha më 22 qershor se pasagjerët kanë vdekur pasi nëndetësja besohet të ketë shpërthyer.

Brenda nëndetëses ishin eksploruesi britanik, Hamish Harding, eksperti francez i nëndetëseve, Paul-Henri Nargeolet, biznesmeni pakistanezo-britanik, Shahzada Dawood dhe djali i tij, Suleman, dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë OceanGate që ofron ekspeditën me nëndetësen Titan, Stockton Rush.

Pasagjerët e nëndetëses Titan, nga e majta: Shahzada Dawood, Suleman Dawood, Paul-Henry Nargeolet, Stockton Rush dhe Hamish Harding.
Pasagjerët e nëndetëses Titan, nga e majta: Shahzada Dawood, Suleman Dawood, Paul-Henry Nargeolet, Stockton Rush dhe Hamish Harding.

Harding ishte një miliarder dhe aventurier me tre rekorde Guinness, ndërsa dy pjesëtarët e familjes Dawood i përkisnin një prej familjeve më të pasura të Pakistanit. Nargeolet ishte i njohur me nofkën “Zotëri Titanik” për zhytjet e tij të thella në rrënojat e Titanikut.

Familja e Hardingut reagoi ndaj njoftimin për vdekjen e pesë pasagjerëve duke thënë se ai ishte një “eksplorues me plot pasion”, por dhe “burrë i dashur dhe baba i përkushtuar ndaj dy djemve të tij”.

“Arritjet e tij gjatë jetës ishin me të vërtetë mbresëlënëse dhe, nëse mund të gjejmë sadopak ngushëllim në këtë tragjedi, e humbëm atë teksa e bënte atë që donte”, thuhet në deklaratën e familjes.

Edhe familjarët e Shahzada dhe Suleman Dawoodit shprehën “mërzinë e thellë” për humbjen e tyre në një deklaratë të shkurtër.

“Ne jemi me të vërtetë mirënjohës për të gjithë të përfshirët në operacionet e shpëtimit. Përpjekjet e tyre të palodhshme ishin burimi force për ne gjatë kësaj kohe”, thuhet në deklaratën e tyre.

Qeveritë e Britanisë së Madhe dhe Pakistani shprehën “ngushëllimet më të thella” për familjet e pasagjerëve.

OceanGate tha se “zemrat janë me ata pesë shpirtra dhe çdo anëtar të familjeve të tyre gjatë kësaj kohe tragjike”.

“Këta burra ishin eksplorues të vërtetë, që ndanin një shpirt të veçantë aventure dhe një pasion të thellë për eksplorimin dhe mbrojtjen e oqeaneve të botës”, thuhet në deklaratën e OceanGate.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG