Ndërlidhjet

Liderët e PDK-së dhe LDK-së refuzojnë takimin me presidenten Osmani


Presidentja Vjosa Osmani gjatë një fjalimi vjetor para Kuvendit të Kosovës. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Presidentja Vjosa Osmani gjatë një fjalimi vjetor para Kuvendit të Kosovës. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Liderët e dy partive opozitare, Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë pjesëmarrjen në një takim të ftuar nga presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Ftesa e presidentes Osmani për një takim të krerëve të institucioneve me kryetarët e partive kryesore politike në vend ishte iniciuar me kërkesën e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në ftesën e dërguar liderëve të partive politike, presidentja Osmani ka theksuar bindjen se “bashkëpunimi dhe dialogu i hapur ndërmjet institucioneve me partitë politike janë thelbësore për t’i përballur sfidat aktuale dhe për të punuar bashkë drejt arritjes së synimeve të përbashkëta...”.

Kryetari i PDK-së, Krasniqi ka shkruar në Facebook se i ka kthyer përgjigjen presidentes Osmani duke e njoftuar atë se e refuzon pjesëmarrjen në takim, për një varg arsyesh.

Në letrën dërguar presidentes Osmani, lideri i PDK-së ka thënë se në tre javët e fundit , situata e sigurisë në Kosovë është përkeqësuar dukshëm dhe në veri të vendit nuk ka normalitet.

“Gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë kam vërejtur se presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët”, ka shkruar Krasniqi.

Ai i ka shkruar presidentes se “veprimet e tilla lënë të kuptojnë se jeni shndërruar në një mbështetëse dhe certifikuese të veprimeve aventureske dhe të papërgjegjshme të kryeministrit (Kurti)”.

Ftesës së presidentes i është përgjigjur negativisht edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.

Në përgjigjen e Abdixhikut ndaj presidentes Osmani, është thënë se partia e tij ka përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend “në veçanti qasjen e papërgjegjshme të Kryeministrit të Kosovës në raport me aleatët tanë, SHBA, BE e NATO”.

Abdixhiku ka theksuar se qasja konfliktuoze e kryeministrit Kurti, veprimet e pakoordinuara dhe papërgjegjësia diplomatike e strategjike, kanë rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Çfarë Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon e pret në këtë kohë është pozicionimi i qartë e kritik ndaj popullizmit të Kryeministrit, që ballafaqimin me aleat po e shndërron në kauzë të sjelljes së brendshme politike, me pasoja afatgjata për sovranitetin e vendit dhe për pozicionin tonë ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e Abdixhikut ndaj presidentes Osmani.

Abdixhiku ka thënë se LDK-ja nuk mund të pranojë e as të tolerojë një përplasje të Kosovës me aleatët, duke shtuar se s’mund të jetë pjesë e diskutimeve për këtë çështje.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka kërkuar nga presidentja të iniciojë takimin e kryetarët e partive politike kryesore në vend, ditë më parë ka shprehur shqetësimin për situatën e rëndë politike dhe të sigurisë në vend.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG