Ndërlidhjet

Ministri i Brendshëm serb: Ne e dimë se kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin


Ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiq. Fotografi nga arkivi.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiq. Fotografi nga arkivi.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiq, tha më 21 qershor se autoritetet serbe “e dinë saktësisht” se kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin, politikanin serb nga veriu i Kosovës.

“E dimë saktësisht se kush është vrasësi”, tha Gashiq, gjatë një fjalimi në një seancë të Parlamentit të Serbisë, që është thirrur nga opozita, e cila po kërkon shkarkimin e tij, raporton agjencia Beta.

Ai tha se policia serbe ka kërkuar nga autoritetet gjermane këtë person “nën mbrojtjen e të cilëve ai është”.

“Ne kemi një video nga aeroporti i Tiranës, kemi fotografi nga Prishtina, kemi fotografi që shfaq atë duke hyrë në një banesë në Prishtinë”, tha Gashiq, pa ofruar detaje apo dëshmi të tjera për të mbështetur këto pretendime.

Ai tha se ky rast “është zgjidhur nga profesionistët”, por ata nuk kanë pranuar imazhe satelitore të skenës ku u krye vrasja. Sipas ministrit serb, këto imazhe ishin kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë, por këta të fundit ishin arsyetuar se në ditën e vrasjes “kishte qenë ditë me mjegull”.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, me gjashtë plumba në shpinë. Vrasja u krye para zyrës së partisë së tij në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Mbi pesë vjet pas kësaj vrasjeje, rasti ende nuk është zgjidhur.

Prokuroria Speciale e Kosovës deri më tani ka ngritur tri aktakuza, por në to nuk ka pasur ndryshime thelbësore, gjegjësisht përmenden vetëm personat që “me vetëdije dhe qëllim kanë ndihmuar grupin kriminal për kryerjen e veprës penale të vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, por jo autori i vrasjes apo porositësi.

Aktakuza janë ngritur ndaj zyrtarëve policorë Nedelko Spasojeviq, Radeta Basara, Zharko Jovanoviq, por edhe ndaj sekretares së Ivanoviqit, Sillvana Arsoviq dhe Marko Roshiq, qytetar i Mitrovicës së Veriut.

Më 19 tetor 2022, Policia e Kosovës arrestoi pjesëtarin e komunitetit serb, M.M, nën dyshimet se ai është anëtar “i një grupi të organizuar kriminal” të lidhur me vrasjen.

Edhe Zyra e Prokurorisë Speciale e Serbisë po kryhen hetime për vrasjen e Ivanoviqit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG