Ndërlidhjet

SHBA-ja fut në listë të zezë kryetarin e Strugës Ramiz Merko


Ramiz Merko.
Ramiz Merko.

Shtetet e Bashkuara e kanë vendosur kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merkon, në listën e personave që u ndalohet hyrja në SHBA, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm, është thënë në njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit.

“Merko shpërdoroi fondet dhe ndërhyri në proceset gjyqësore dhe të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut në institucionet dhe zyrtarët demokratikë të Maqedonisë së Veriut”, është thënë në komunikatë.

Ramiz Merko është në krye të Komunës së Strugës për 14 vjet me radhë, si kuadër i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) që drejtohet nga Ali Ahmeti.

Kjo parti është pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që nga viti 2002, me përjashtim te viteve 2006-2008.

“Veprimi i sotëm përçon mesazhin se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Maqedoninë e Veriut për të nxitur stabilitetin përmes forcimit të institucioneve demokratike dhe adresimit të mangësive të sundimit të ligjit. Ky vendim rikonfirmon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t'iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre”, ka thënë mes tjerash Departamenti amerikan i Shtetit.

Në vendimin e DASH-it përfshihen edhe bashkëshortja dhe tre fëmijët e Merkos, të cilëve po ashtu u ndalohet hyrja në SHBA.

Merko ka qenë në shënjestër të kritikave për shpërdorim të fondeve, në shumë raporte të Entit të Revizionit të Maqedonisë së Veriut.

Vetëm gjatë vitit 2022, ai ka ndarë nga buxheti i komunës 80.000 euro për dhurata, dreka e darka.

Komisioni shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit kishte iniciuar një procedurë kundër Mekros për shpërdorim të detyrës, në rastin e furnizimit të komunës me katër automjete në vlerë prej 114.000 eurove, prej të cilave, njëra për vetë Merkon, në vlerë prej 67.000 eurove, por hetimi kundër tij nuk është proceduar.

Merko ishte edhe në epiqendër të kritikave të shoqatave për mbrojtjen e kafshëve, për shkak të qëndrimit të tij për vrasjen masive të qenve endacakë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG