Ndërlidhjet

Metsola u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet


Presidentja e PE-së, Roberta Metsola. Fotografi nga arkivi.
Presidentja e PE-së, Roberta Metsola. Fotografi nga arkivi.

Parlamenti Evropian u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet në kohën kur i gjithë kontinenti evropian po kalon nëpër një situatë të ndjeshme.

Këto thirrje u bën nga presidentja e PE-së, Roberta Metsola, gjatë vizitës në Kroaci për shënimin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Zagrebit në Bashkimin Evropian.

Metsola tha se agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është një dëshmi se sa kanë ndryshuar rrethanat sot në Evropë dhe me çfarë sfidash po përballet kontinenti.

“Ne si Parlament Evropian u kemi bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës të shtensionojnë situatën. Shtensionimi është fjala kyçe këtu. Nuk mund të shohim më shumë dhunë në kohën kur kontinenti ynë është aq i ndjeshëm”, tha Metsola.

Udhëheqësja e PE-së, duke iu referuar rolit të Kroacisë në rajon, tha se ky shtet mund të ndihmojë duke luajtur një rol aktiv, por edhe duke shërbyer si shembull se si zgjerimi i BE-së është një tregim suksesi.

“Transformimi i Kroacisë është shembull që duhet të ndiqet nga të tjerët. Kroacia mund të luajë rol udhëheqës për t’i ndihmuar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, jo vetëm me mbështetje politike, por edhe me përvojën që ka gjatë procesit, përmes së cilit u bë anëtare”, tha Metsola.

“Partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor janë tepër gjatë në ‘dhomën e pritjes’ dhe kjo duhet të ndryshojë. Të dyja palët duhet të bëhen serioze dhe ky proces të lëvizë”, shtoi ajo.

Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, tha se shteti i tij është i gatshëm të mbështesë vendet e rajonit në rrugëtimin e tyre drejt BE-së dhe të ndajë me ta përvojën e Zagrebit në këtë proces.

Ndryshe, që nga fundi i majit, tensionet në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.

Kjo u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët që atëherë po mbajnë protesta të vazhdueshme në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në përleshje midis serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Tensionet u rritën edhe më shumë më 14 qershor, pas arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe. Kosova thotë se policët u rrëmbyen brenda territorit të saj, por Serbia thotë se ata u arrestuan në “thellë” në territorin serb.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje Serbisë që të lirojë pa kushte policët. Ndërkaq, BE-ja dhe SHBA-ja i kanë paraqitur tri kërkesa autoriteteve në Kosovë për shtensionimin e situatës. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përgjigjur duke paraqitur një plan të tij pesëpikësh.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG