Ndërlidhjet

Krerët shtetërorë të Kosovës kërkojnë lirimin e tre policëve


Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut më 13 qershor 2023.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut më 13 qershor 2023.

Krerët shtetërorë të Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të Kosovës, që sipas tyre, “u rrëmbyen nga forcat serbe” brenda territorit të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës është agresion nga ana e Serbisë”.

“Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit”, tha Osmani.

“Zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht”, shtoi ajo.

Policia e Kosovës bëri të ditur se mesditën e 14 qershorit, gjatë patrullimit, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.
Serbia tha se njësitë anti-terror të xhandarmërisë arrestuan policët kosovarë “në thellësi të territorit të Serbisë”, afër komunës së Rashkës.

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se me këtë veprim po dëshmohet se Serbia “dëshiron të nxisë tensione mes dy vendeve”.

“Në kohën kur Qeveria e Kosovës po del me propozime për t'i gjetur zgjidhje destabilizimit të shkaktuar nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi, Serbia dëshmon nuk është e gatshme për asnjë zgjidhje. Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këto akte agresioni kundrejt Kosovës. Lirimi i menjëhershëm i tre policëve të Kosovës është ultimativ”, shkroi ai në Facebook.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rrëmbimi i zyrtarëve policorë “qartazi është si hakmarrje e Serbisë” për arrestimin një ditë më parë të Millun Millenkoviq, i cili nga autoritetet e Kosovës akuzohet për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan më 29 maj.

Rasti i policëve po ndodh në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG