Ndërlidhjet

Sveçla: Arrestohet një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it


Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Fotografi nga arkivi.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Fotografi nga arkivi.

Tre pjesëtarë Policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë një aksioni në veri të Kosovës, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, teksa ka njoftuar se në këtë aksion është arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

"Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkoviq- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal 'Mbrojtja Civile' dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës", tha ministri në Facebook.

Sipas Sveçlës, i njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan para dy javësh.

Por, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se serbi i arrestuar nuk është kriminel.

“Ai është një luftëtar i shquar për interesat kombëtare serbe dhe për të drejtat e serbëve në veri të Kosovës”, tha ai gjatë një konference për media në Beograd.

Sirenat e alarmit u dëgjuan në Mitrovicë të Veriut pasditen e së martës, pas të cilave qytetarët serbë u grumbulluan në qytet.

Gazetarët e REL-it raportuan se është dëgjuar edhe një shpërthim.

Ata gjithashtu raportuan se njerëzit u mblodhën afër shkollës së mesme teknike në Mitrovicën e Veriut, afër lagjes "Mëhalla e Boshnjakëve". Po në këtë lagje u panë automjete të blinduara të Policisë së Kosovës dhe numër i madh i policëve.

Por, pjesëtarët e Policisë së Kosovës rreth orës 15:00 filluan të tërhiqen nga “Mëhalla e Boshnjakëve” për në jug. Sipas gazetarëve të REL-it, këtë e kërkoi një pjesëtar i KFOR-it amerikan.

Shumica e automjetëve të blinduara policore janë larguar nga rrugët e Mitrovicës së Veriut. Megjithatë, një pjesëtar i Policisë së Kosovës tha se bëhet fjalë për “riorganizimin” e pranisë së tyre.

Ndërkaq, qytetarët e mbledhur u shpërndan pas orës 16:00.

Gazetarëve nuk u lejuan që të fotografonin apo filmonin këto zhvillime, derisa njërit prej gazetarëve të Radios Evropa e Lirë iu mor telefoni nga disa serbë lokalë, të cilët ia fshin të gjithë materialin e filmuar.

Personat që u mlodhën afër shkollës teknike janë dëgjuar duke brohoritur “tradhti” dhe slogane me përmbajtje ofenduese ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Sirenat e alarmit publik në Mitrovicë të Veriut rëndom lëshohen kur nga popullata lokale kërkohet të organizohet për ndonjë ngjarje.

Sa herë që bien sirenat në veri të Kosovës, e që ka ndodhur në disa raste vitet e kaluara, grupe njerëzish të organizuar dalin në rrugë, mbyllin dyqanet, barnatoret, lokalet afariste e të tjera dhe organizojnë barrikada.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët të martën tha se në takim me ambasadorët e QUINT-it për të prezantuar propozimin e tij për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Plani i kryeministrit parasheh pesë pika që, sipas tij, ndihmojnë në ulje të tensioneve:

  • Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtareve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët.
  • Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akti kriminal kundër institucioneve të Kosovës.
  • Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
  • Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë akterët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri.
  • Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave.

Dy javët e fundit raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë janë tensionuar sërish pasi në katër komunat veriore janë duke u zhvilluar protesta nga grupe të serbëve lokalë të cilët po kundërshtojnë futjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan grupe të maskuara të serbëve lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre me armë zjarri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG