Ndërlidhjet

Blinken shpreson që ofensiva ukrainase do të detyrojë Putinin të negociojë


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Fotografi nga arkivi.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Fotografi nga arkivi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se shpreson që një ofensivë e suksesshme nga Ukraina do ta detyrojë presidentin rus, Vladimir Putin, të pajtohej për bisedime për përfundimin e pushtimit rus të Ukrainës.

Duke folur gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij italian, Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë “të bindura se ata do të vazhdojnë të kenë sukses” pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, la të kuptohet se kundërofensiva ukrainase po zhvillohet.

“Suksesi në kundërofensivë do të bënte dy gjëra: do të forconte pozicionin e saj [Ukrainës] në çdo tavolinë negociuese që do të mund të organizohej dhe mund të ketë efektin që në fakt të detyrojë Putinin që më në fund të përqendrohet në negociata për t’i dhënë fund luftës që ai nisi”, tha Blinken.

“Në këtë kuptim, mund ta sjellë më afër paqen, jo ta largojë arritjen e saj”, tha Blinken gjatë konferencës për media me kryediplomatin italian, Antonio Tajani.

Blinken tha se ofensiva ka treguar nevojën për të “maksimizuar mbështetjen tonë për Ukrainën tani, në mënyrë që ajo të mund të ketë sukses në fushëbetejë”.

Rusia publikisht ka mbështetur organizimin e negociatave, me Kinën si ndërmjetësuese.

Shtetet e Bashkuara janë shprehur skeptike për përpjekje të tilla, duke thënë se Rusia nuk është serioze për negociata dhe vetëm i intereson vetëm të shfajësojë veten për pushtimin.

Paqja duhet të jetë “e drejtë dhe e qëndrueshme”, tha Blinken.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar. Ukraina pretendoi se pas nisjes së kundërofensivës, më 12 qershor kishte arritur të çlironte katër vendbanime në rajonin lindor të Donjeckut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG