Ndërlidhjet

Escobar për Kurtin: Nganjëherë është partner i vështirë, por ai është partner


I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe kryemnistri i Kosovës, Albin Kurti.
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe kryemnistri i Kosovës, Albin Kurti.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka cilësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti partner të SHBA-së, ani pse ka thënë se ai nganjëherë është ‘partner i vështirë”.

Këtë koment Escobar e ka bërë në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore me seli në Beograd të Serbisë, ku mes tjerash ka pohuar po ashtu se Kosova mbetet një partner i rëndësishëm i SHBA-së.

“Zoti [Albin Kurti] është partneri ynë. Nganjëherë është partner i vështirë, por ai është partner. Kosova është partner. Pra, derisa ecim përpara ne duam të përdorim marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën dhe përmirësimin e marrëdhënieve që kemi me Serbinë për të gjetur një rrugë, për të gjetur një rrugë të pranueshme dhe reciprokisht të dobishme në mënyrë që të dyja [vendet] të jenë pjesë e Bashkimit Evropia”, deklaroi Escobar.

Escobar i bëri këto komente kur u pyet të komentonte deklaratën e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili këtë javë tha për Zërin e Amerikës se Uashingtoni ka “disa probleme shumë thelbësore” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Hill e bëri këtë koment në pyetjen nëse kryeministri Kurti, është i gatshëm të pranojë tri kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për uljen e tensioneve në veri të Kosovës, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në katër komunat veriore dhe rikthim në dialog.

“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por, këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë”, tha Hill më 8 qershor.

Ndërkohë Escobar më tej tha se SHBA-ja është e angazhuar që të ndihmojë si Kosovën ashtu edhe Serbinë, në integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Escobar foli edhe për marrëveshjen që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër të Maqedonisë së Veriut në muajin mars të këtij viti. Implementimi i kësaj marrëveshjeje sipas Escobar i hapë rrugë një “marrëdhënie paqësore dhe konstruktive” në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të de-përshkallëzuar proceset menjëherë, për të de-përshkallëzuar situatën dhe menjëherë të kthehemi në fokusin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit”, theksoi Escobar.

Sipas tij, për Serbinë kjo do të thoshte dhënie fund bllokimit të integrimit evropian dhe ndërkombëtar të Kosovës dhe për Kosovën kjo do të nënkuptonte fillimin e procesit të zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Duhet të punojmë menjëherë për të dyja gjërat”, tha Escobar.

Ka dy javë që janë tensionuar sërish raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Përleshje mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:25 0:00

Në katër komunat veriore janë duke u zhvilluar protesta nga grupe të serbëve lokalë të cilët po kundërshtojnë futjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Më 29 maj, situata u tensionua tej mase në Zvecan dhe grupe të maskuara të serbëve lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre me armë zjarri.

Çfarë po kërkojnë diplomatët e huaj e çfarë po u ofron Kurti?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:44 0:00

Kjo situata e solli në Prishtinë sërish të dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar si dhe të dërguarin e posaçëm të BE-së, për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak.

Dy zyrtarët paraqitën tri kërkesa për Qeverinë e Kosovës: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Pas vizitës në Prishtinë, që të dy vizituan edhe Beogradin në një përpjekje të serishme për të qetësuar situatën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG