Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), të premten, më 9 qershor, njoftuan për një pako të ndihmës ushtarake prej 2.1 miliardë dollarë për Ukrainën, pikërisht në kohën kur dukej se Kievi po fillonte kundërofensivën e shumëpritur, me synimin për ta dëbuar Rusinë nga vendi, shkruan AFP.
Pakoja përfshin raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, predha artilerie, dronë dhe sisteme raketash të drejtuara me laser.
Armatimi i ri ilustron “angazhimin e vazhdueshëm ndaj aftësive kyçe afatshkurtra të Ukrainës, si dhe aftësive të përhershme të forcave të armatosura ukrainase për të mbrojtur territorin e tyre dhe për të penguar agresionin rus në afat të gjatë”, thekson Pentagoni në një deklaratë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga fillimi i vitit 2021, i kanë siguruar Ukrainës furnizime ushtarake deri në 40,4 miliardë dollarë, ndërkaq pjesa më e madhe e këtyre furnizimeve i është dhënë që kur Rusia pushtoi vendin më 24 shkurt të vitit 2022.
Ndihma erdhi në pikën vendimtare të luftës. Ukraina ka grumbulluar armë dhe forca stërvitore në përgatitje për një fushatë të mundshme tokësore, në përpjekje për të detyruar trupat ruse të tërhiqen nga zona të mëdha të Ukrainës juglindore dhe jugore, të cilat janë marrë.
Presidenti rus Vladimir Putin tha të premten se ofensiva kishte filluar, mes raporteve se trupat ukrainase kishin nisur sulmet në tre pika kyçe përgjatë vijës së gjatë të frontit.