Jetë më të mirë, paga dhe pensione më të larta, blerje të favorshme të banesave dhe rritje të përfitimeve sociale. Premtimet e këtij lloji mbizotërojnë fushatat e shumicës së partive politike në Mal të Zi për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen të dielën, më 11 qershor.
Analisti ekonomik, Vasilije Kostiq, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se publiku është i vërshuar me oferta dhe një “i ashtuquajtur ankand social" që ofron paga dhe pensione më të larta.
"Ne do të shohim se sa të realizueshme do të jenë. Disa programe tashmë mund të thuhet se janë jashtëzakonisht të guximshme e voluminoze në premtimet e tyre. Duket se zbatimi i tyre është i vështirë për t'u arritur ose mund të shkaktojë ndërprerje serioze në financat malazeze", thotë ai.
Nga ana tjetër, Oleg Filipoviq thotë se premtimet zgjedhore janë të realizueshme, por nevojiten reforma serioze.
“Dhe, ato reforma janë të dhimbshme”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Paga minimale në Mal të Zi, aktualisht, është 450 euro.
Më shumë se 30 për qind e rreth 200 mijë të të punësuarve marrin pagë me këtë vlerë, ndërsa dhjetë për qind marrin më pak se kjo shumë, sipas të dhënave nga Unioni i Sindikatave të Lira.
Paga mesatare në Mal të Zi është 786 euro.
Nga 120.000 pensionistë, dy të tretat e tyre kanë një pension më të vogël sesa mesatarja, që është 375 euro.
Çfarë premtuan partitë?
Lideri i Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiq, u premtoi qytetarëve pagë mesatare prej 1000 eurosh, pagë minimale prej 700 eurosh dhe rritje të pensionit minimal në 450 euro. Siç shpjegoi ai, parakusht për zbatimin e kësaj është konsolidimi fiskal njëvjeçar dhe reduktimi i shpenzimeve joproduktive deri në 200 milionë euro.
“Ne do t’i votojmë masat shtesë, siç janë markimi i karburanteve, ligji për lojërat e fatit, dhe duke zbatuar ligjin e vitit 2022, do të vendosim 80 për qind taksë për të gjithë pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme”, tha Spajiq.
Spajiq është krijues i programit që rriti pagat nga 1 janari i vitit 2022 duke anuluar kontributet në Fondin e Shëndetësisë, i cili, sipas kundërshtarëve politikë, kërcënoi financimin e sistemit shëndetësor malazez.
Spajiq paralajmëroi gjithashtu një reformë gjithëpërfshirëse të sistemit të pensioneve, e cila nënkupton ndarjen e pensioneve të fituara dhe atyre sociale.
“Pjesa sociale e pensionit do të financohet me ndalimin e abuzimeve të mbrojtjes sociale, të cilat mund të parandalohen me kartë sociale”, shpjegoi Spajiq.
Spajiq shpjegoi se paga minimale prej 700 eurosh do të arrihet me reformën e re tatimore, e cila do t'i çlirojë punëdhënësit nga kostot fikse si taksat direkte.
Vasilije Kostiq është i bindur se premtimet e Spajiqit janë vështirë të realizueshme tash për tash ose mund të shkaktojnë përçarje serioze në financat malazeze.
“Nuk kam parë që ky program të jetë realist me asgjë dhe më e afërta me vlerësimin është se mund të sjellë pasoja të rënda, është një ndërhyrje e jashtëzakonshme në një periudhë të shkurtër kohore, e cila jam i sigurt se do të shkaktonte shqetësime serioze në vetë ekonominë [e Malit të Zi]. Kështu që mbetet për t'u parë se sa është me të vërtetë marketing politik dhe sa është përpjekje e vërtetë", vlerëson Kostiq.
Nga ana tjetër, Oleg Filipoviq beson se programi i Lëvizjes Evropa Tani është realist dhe i realizueshëm.
"Programi i tyre tingëllon realist dhe i arritshëm me reformat që ata shpallën. Dhe, ato reforma janë të dhimbshme", shprehet ai.
Ai beson se realizimi i premtuar do të vijë përmes reformës së sistemit fiskal dhe atij pensional.
“Sikur ta ulnin këtë 27 përqindësh që ndahet nga paga për fondin pensional, në 15 për qind, dhe 12 të tjerat t’i drejtonin në pagën neto të qytetarëve, do ta arrinin atë pagë mesatare prej 1000 eurosh, siç premtuan. Sigurisht, ky është vetëm supozimi im”, thotë Filipoviq.
I pyetur nga REL-i se sa i rrezikshëm do të ishte një veprim i tillë, Filipoviq u përgjigj se gjendja aktuale e fondit të pensioneve është gjithashtu e rrezikuar shkaku i deficitit prej 1.6 miliard eurosh, i tillë që prej vitit 2006.
"Diçka nuk është në rregull dhe ne duhet të ndryshojmë diçka. Ne duhet të gjejmë një mënyrë që ai fond të ekzistojë dhe të jetë fitimprurës, që është detyra e tij kryesore", shprehet Filipoviq.
Ai konsideron se reformat janë të nevojshme për Malin e Zi, pavarësisht nga rreziku, "sepse kjo është mënyra e vetme për të siguruar vlera të reja dhe të hyra financiare".
"Rreziku ekziston edhe nëse situata mbetet kjo që është. Askush nuk ka dalë me një program se si të zvogëlohet numri i madh i të punësuarve në administratë dhe kështu të kursehen fondet. Është një ekonomi reale", vlerëson ai.
Edhe DPS-ja premton rritje pagash
Filipoviq vlerëson se koalicionet e tjera, si Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) dhe Fronti Demokratik (DF), premtimet e tyre për paga dhe pensione më të larta i bazuan në shpalljen e reformës tatimore dhe investimeve.
Koalicioni i udhëhequr nga DPS-ja, në krye me Danijel Zhivkoviqin, premtoi rritje të pagës bruto për 50 për qind dhe pension minimal prej 350 eurosh.
Duke e prezantuar pjesë të programit të DPS-së, Nikolla Miloviq, profesor në Fakultetin Ekonomik dhe kandidat për deputet, tha se prioriteti i tyre është “krijimi i vlerës së re, në një cikël krejtësisht të ri investimi dhe krijimi i të ardhurave buxhetore më të larta nëpërmjet investimeve kapitale”.
“Ato investime kapitale do të lidhen me përfundimin e projekteve më të rëndësishme të infrastrukturës, prandaj segmenti i punës sonë lidhet me një pagë realisht të qëndrueshme që do të fitojë një qytetar malazias dhe do të jetë në nivelin 50 për qind pagë më të lartë se sa që është tani në shumën bruto”, tha ai.
Premtimet e partisë DF, e përçarë së fundmi
Për rritjen e pagave ka folur edhe Millan Knezheviq, i cili udhëheq dy parti nga Fronti Demokratik pro-serb i përçarë së fundmi në zgjedhje.
"Ne premtojmë publikisht se do ta rrisim pagën bazë për 13 për qind, duke kthyer shujtat e ngrohta, turshitë për dimër dhe shtesat tjera. Premtojmë edhe investime serioze nga Kina, mbi pesë miliardë euro, përmes projekteve në energjetikë dhe infrastrukturë", tha Knezheviq.
Koalicioni njoftoi gjithashtu një rritje prej 20 për qind të pensioneve. Jovan Vuçuroviq njoftoi se pas konstituimit të Kuvendit të ri, do të iniciojë ndryshime ligjore për rritjen e pensioneve.
“Pensionistët që tani marrin 300 euro, do të kenë rritje prej 60 eurosh, ata që marrin 500 do të kenë rritje për 100 euro, ndërsa pensionistët që marrin 700 euro, do t’i kenë nga 140 shtesë”, theksoi Vuçuroviq.
Edhe Lëvizja për Ndryshim, e cila deri vonë ishte pjesë e FD-së, premtoi se paga mesatare, nëse do të ishte pjesë e Qeverisë, do të ishte më shumë se 1000 euro dhe pensioni mesatar do të ishte 700 euro:
“Pensionistët që tani marrin 300 euro, do të kenë rritje prej 60 euro; ata që marrin 500, do të kenë rritje për 100 euro, ndërsa pensionet që janë 700 euro, do të kenë rritje për 140 euro shtesë”.
Çfarë nuk është bërë?
Kostiq thotë se partitë nuk i kanë prezantuar mjaft qartë premtimet e tyre parazgjedhore për qytetarët dhe publikun profesionist.
“Kishte pak kohë që palët të bënin ndoshta analiza studimore që do të shpjegonin në mënyrë të besueshme dhe të qartë se nga cilat burime, në çfarë mënyre dhe me çfarë efekti fiskal do t'i përmbushnin të gjitha ato premtime. Të paktën nuk jam në dijeni që një analizë e tillë ka është bërë."
Kostiq, gjithashtu, thekson se rritja e pagave dhe pensioneve është e mundur në të ardhmen.
“Por, as që kam parë nga asnjëra parti të thotë që [kjo] është p.sh., në afat të mesëm apo afatgjatë, siç e kuptova, premtohet si tani dhe menjëherë ose në afat të shkurtër pas zgjedhjeve, që do të ishte vërtet shumë optimist dhe tepër premtues”.
Borxhi i përgjithshëm publik i Malit të Zi në fund të vitit të kaluar arriti në 4.1 miliardë euro, ose gati 71 për qind e Bruto Produktit Vendor. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, borxhi është 13 për qind më i ulët se një vit më parë.
Statistikat tregojnë se inflacioni në tre muajt e parë të këtij viti në Mal të Zi arriti në 17 për qind.