Ndërlidhjet

Hill: Kemi probleme shumë thelbësore me Kurtin


Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill. Fotografi nga arkivi.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill. Fotografi nga arkivi.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se Uashingtoni ka “disa probleme shumë thelbësore” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Hill u pyet nëse Kurti është i gatshëm të pranojë tri kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por, këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë”, tha ai.

Gjatë javës, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, qëndruan në Prishtinë dhe Beograd, për të ndihmuar palët që të ulin tensionet.

Dy zyrtarët paraqitën tri kërkesa për Qeverinë e Kosovës: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

*Video: Kërkesat e Escobarit dhe Lajçakut për Kurtin

Çfarë po kërkojnë diplomatët e huaj e çfarë po u ofron Kurti?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:44 0:00

Escobar tha se raportet mes popullit amerikan dhe kosovar janë të forta dhe nuk do të ndryshojnë, por shtoi se ka sfida në raportet dypalëshe me Kurtin. Ky i fundit, po ashtu e pranoi se ka sfida në raportet dypalëshe me Escobarin dhe Lajçakun.

Hill tha se gjatë takimit me Kurtin, Escobar dhe Lajçak, e kanë informuar atë që duhet "të bëjë disa ndryshime nëse dëshiron të llogarisë te ne si mik dhe partner”.

“Nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë ndarje kaq të thella në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit”, tha ai.

Në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – situata e sigurisë është përkeqësuar qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë marrë zyrtarisht detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Serbët lokalë në këto tri komuna që atëherë po organizojnë protesta para ndërtesave komunale.

Zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave kanë dalë këta kryetarë shqiptarë, janë bojkotuar nga komuniteti serb.

Më 29 maj, serbët lokalë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe nga përleshjet u plagosën dhjetëra persona nga të dyja palët.

Por, ambasadori Hill tha se ditëve të fundit ka pasur ulje të tensioneve në veri.

“Ka ulje tensionesh sigurisht nga pala serbe, dhe pritshmëria nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara është që Kosova të bëjë një hap në atë drejtim. Një nga ta është që njësitë speciale të policisë të tërhiqet nga veriu. Gjithashtu, kryetarët e komunave duhet të largohen nga ndërtesat komunale dhe kjo duhet të ndodhë në një moment. Dhe çështja e tretë pak më e vështirë, është nëse mund të keni zgjedhje të reja. Nga pala serbe u tha qartë se me rëndësi është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili ende është problem për Kurtin. Sepse të gjithë të tjerët e kuptojnë se është e nevojshme”, tha Hill.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar i hapur për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut – dhe për zvogëlimin e pranisë së policisë, por për këtë ai ka kërkuar që “bandat kriminale serbe” ose të largohen, ose të arrestohen. Kryeministri kosovar po ashtu ka thënë se zgjedhjet e reja do të duhej të ishin "demokratike dhe fer" dhe të ketë fushatë të lirë zgjedhore.

Por, ai është ankuar se Escobar dhe Lajçak po vijnë në Prishtinë “me kërkesat e palës tjetër”.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e hapur për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri. Megjithatë, ajo ka thënë se një kërkesë të tillë mund ta bëjnë vetë serbët, përmes një peticioni që do të duhej të nënshkruhej nga 20 për qind e personave që gjenden në listën e votuesve në veri.

*Intervistën e plotë me ambasadorin Hill mund ta lexoni në ueb-faqen e Zërit të Amerikës

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG