Ndërlidhjet

Dy persona humbën jetën nga granatimet në rajonin rus


Gëzhojat në rrugë, pas granatimeve të pretenduara në rajonin e Belgorodit, 31 maj 2023.
Gëzhojat në rrugë, pas granatimeve të pretenduara në rajonin e Belgorodit, 31 maj 2023.

Dy gra u vranë gjatë granatimeve nga forcat ukrainase në rajonin kufitar rus Belgorod, tha guvernatori i atij rajoni.

Vyacheslav Gladkov tha gjithashtu se katër persona u plagosën pasi Ukraina bombardoi qytetin afër kufirit.

Zyrtarët në rajonet fqinje Bryansk dhe Kursk, thanë se ndërtesat u dëmtuan nga sulmi me dron, gjatë natës.

Ukraina nuk ka komentuar lidhur me sulmin. Kievi, më herët, mohoi përfshirjen në sulmet e mëparshme që ndodhën përtej kufirit dhe tha se ato ishin kryer nga grupe ruse anti-qeveritare.

Ndërkohë, një nga grupet që kundërshtojnë Kremlinin, Legjioni i lirisë Ruse, tha se kishte marrë pjesë në operacionet ushtarake në fshatin e afërt Novaja Tavolzhanka.

Guvernatori Vyacheslav Gladkov tha për Telegram se predha goditi një pjesë të rrugës në qytetin Maslova Pristan, rreth 15 kilometra larg rajonit Harkov të Ukrainës dhe se copëzat goditën makinat që kalonin.

“Në njërën prej tyre udhëtonin dy gra, të cilat kanë vdekur në vend nga plagët e marra”, tha ai.

Guvernatori i rajonit Bryansk, në veri të Belgorodit, tha se katër shtëpi u dëmtuan nga bombardimet, ndërsa kreu i rajonit fqinj Kursk, tha se disa ndërtesa u dëmtuan nga sulmi me dron gjatë natës.

Dronët me rreze të gjatë veprimi, goditën gjithashtu dy qytete në rajonin e Smolensk gjatë natës, tha guvernatori atje, ndërsa kreu i rajonit Kaluga të Rusisë tha se u raportua një shpërthim në pyll.

Ditët e fundit, zyrtarët rusë kanë raportuar sulme të shtuara nga veriu i Ukrainës.

Ukraina mohon që ushtria e saj të jetë e përfshirë në sulme dhe thotë se ato kryhen nga luftëtarë vullnetarë rusë.

Që nga fillimi i majit, Rusia ka iniciuar rreth 20 sulme, veçe veç, me raketa dhe dronë, në qytetet e Ukrainës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG