Ndërlidhjet

Macron: Kosova është përgjegjëse për trazirat e shkaktuara


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se autoritetet e Kosovës "mbajnë përgjegjësi për trazirat, të cilat janë rritur ndjeshëm" në veri të Kosovës, prej se kryetarët e rinj shqiptarë morën detyrën në komunat me shumicë serbe.

Macron i bëri komentet në një konferencë për sigurinë në Bratisllavë.

Qëndrimi i presidentit francez është në bashkërendim me deklaratat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera të QUINT-it, të cilat e bënë Qeverinë e Kosovës fajtore për tensionimin e situatës në veri të vendit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në deklaratën e tij tha se i dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat, sipas tij, po e përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin”. Ai tha se këto veprime janë marrë "në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës".

Edhe shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova duhet të pezullojë operacionet e policisë rreth ndërtesave komunale në veri të shtetit, si “hap i parë për uljen e tensioneve, ndërsa protestuesit e dhunshëm të ndalen”.

“Dua të them se BE-ja e dënon fuqishëm dhunën në veri të Kosovës që kemi parë ditëve të fundit. Aktet e dhunës ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe KFOR-it janë të papranueshme. Ne si BE qëndrojmë prapa NATO-s dhe KFOR-it në përmbushjen e mandatit në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë”, tha Borrell më 30 maj.

Reagimet ndërkombëtare erdhëm pas aksioneve të Policisë së Kosovës, më 26 maj, në tri komunat në veri të Kosovës, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, për të siguruar qasjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të këtyre tri komunave.

Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.

Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se aleanca veri-atlantike do ta rrisë për 700 numrin e trupave në Kosovë, në kuadër të misionit të saj, KFOR.

“Ne kemi vendosur t’i angazhojmë 700 trupa shtesë nga Forca Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, dhe që të ngrejmë në nivel të lartë gatishmërinë e një batalioni shtesë të forcave rezervë, ashtu që ata të mund të angazhohen, nëse do të ketë nevojë”, tha ai.

Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG