Një taksi me të cilën po udhëtonte një ekip i Radios Evropa e Lirë është sulmuar në Zubin Potok, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.
Nga ky sulm, që ndodhi teksa vetura ishte në lëvizje, asnjëri nga pjesëtarët e ekipit të REL-it nuk ka pësuar lëndime.
Vetura është sulmuar pasi gazetarët e REL-it hipën në të, kur përfundoi protesta e serbëve në këtë komunë, pak pas orës 15:00.
Banorët lokalë, pjesëmarrës të protestës, sulmuan veturën me një mjet shpërthyes.
Pavarësisht se nuk dihet se me çfarë mjeti është sulmuar vetura, gazetarët thanë se shpërthimi ishte i fuqishëm.
Ekipet e gazetarëve të mediumeve të ndryshme, që kanë raportuar nga veriu i Kosovës lidhur me protestat e banorëve lokalë, kanë qenë cak i disa sulmeve më 30 maj, ka raportuar gjatë ditës Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Serbët kanë protestuar të martën edhe në Zveçan dhe Leposaviq, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë dhe duke kërkuar tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës.