Ndërlidhjet

NATO synon t’i afrohet një plani për anëtarësimin e Ukrainës


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një takimi në Kiev të Ukrainës, më 20 prill 2023.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një takimi në Kiev të Ukrainës, më 20 prill 2023.

Ministrat e jashtëm të NATO-s do të tentojnë t’i përafrojnë qëndrimet lidhur me kërkesën për anëtarësim të Ukrainës në një takim në Oslo të Norvegjisë këtë javë.

Aleatet deri më tani nuk kanë arritur të pajtohen për kërkesat që Kievit t’i jepet një udhërrëfyes drejt anëtarësimit në NATO, në samitin që do të zhvillohet në korrik.

NATO nuk e ka pranuar kërkesën e Ukrainës për anëtarësim të shpejtë pasi qeveritë e vendeve perëndimore, si SHBA-ja dhe Gjermania, po veprojnë me kujdes në atë mënyrë që të mos e çojnë aleancën më afër hyrjes në një luftë aktive me Rusinë.

Megjithatë, Kievi dhe disa nga aleatët e tij më të afërt në Evropën Lindore kanë bërë presion që NATO të paktën të ndërmarrë hapa konkretë për ta sjellë Ukrainën më afër anëtarësimit në samitin e aleancës që do të mbahet në Vilnius, Lituani, më 11-12 korrik.

“Do të ishte shumë e trishtueshme nëse dikush e lexon rezultatin e samitit të Vilniusit si një fitore të Rusisë në pengimin e Ukrainës për t'u bashkuar me NATO-n një ditë”, tha të premten kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte.

Javën e kaluar, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e bëri të qartë se Ukraina nuk do të mund të anëtarësohet në NATO përderisa lufta kundër Rusisë vazhdon.

“Anëtarësimi në mes të një lufte nuk është në agjendë”, tha ai. “Çështja është se çfarë do të ndodhë kur të përfundojë lufta”.

NATO ra dakord në samitin e vitit 2008 në Bukuresht që Ukraina do të anëtarësohet në të ardhmen.

Megjithatë, që nga atëherë, udhëheqësit e NATO-s nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap për ta realizuar një gjë të tillë, si për shembull duke i dhënë Kievit një plan veprimi për anëtarësim që do ta përcaktonte një plan kohor për bashkimin e vendit me NATO-n.

Në margjinat e takimit të tyre në Oslo më 31 maj dhe 1 qershor, ministrat e Jashtëm pritet të flasin edhe për kërkimin për një shef të ri të NATO-s, pasi që Stoltenberg largohet nga kjo pozitë në shtator.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG