Ndërlidhjet

Rusia nis sulme të pazakonta ajrore gjatë ditës në Kiev


Ekipet e shpëtimit punojnë në një rrugë ku ranë fragmente të një rakete ruse të rrëzuar në Kiev, Ukrainë, 29 maj 2023.
Ekipet e shpëtimit punojnë në një rrugë ku ranë fragmente të një rakete ruse të rrëzuar në Kiev, Ukrainë, 29 maj 2023.

Disa shpërthime tronditën qiejt mbi kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, teksa forcat ruse kryen sulme të pazakonta ajrore gjatë ditës në kryeqytetin ukrainas, vetëm disa orë pasi e kishin bombarduar edhe gjatë natës.

Sulmi, i dukshëm në qiejt mbi kryeqytetin ukrainas, filloi menjëherë pasi sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në orën 11 të mëngjesit në Kiev më 29 maj, duke bërë që shumë njerëz të kërkonin strehim në stacionet e metrosë dhe nëpër bodrume, raportoi një korrespondent i Radios Evropa e Lirë në Kiev.

“Shpërthimet mund të shiheshin në qiell nga disa vende të qytetit, përfshirë qendrën e Kievit”, tha korrespondenti. “Shpërthimet ndezën alarmet e makinave në të gjithë qytetin dhe mund të dëgjoheshin zhurma të forta, [ndoshta] nga raketat që u rrëzuan nga mbrojtja ajrore”, shtoi ai.

Dëshmitarët okularë thanë se dëgjuan të paktën dhjetë shpërthime në Kiev, ndërsa qielli mbi qytet u mbush me re tymi.

Administrata ushtarake e qytetit tha se mbrojtja ajrore rrëzoi të 11 raketat Iskander të lëshuara nga Rusia në Kiev gjatë sulmit të ditës. Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur ta verifikojë këtë pretendim në mënyrë të pavarur.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, u bëri thirrje banorëve të strehohen, duke thënë se “sulmi në Kiev vazhdon”.

Të përforcuara nga pajisjet e sofistikuara të furnizuara nga perëndimi, mbrojtja ajrore e Ukrainës ka arritur të pengojë sulmet ajrore ruse – si dromët, ashtu edhe raketat e avionëve.

Rusia i ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë në Ukrainë pas një periudhe prej gati dy muajsh më të qetë, duke sulmuar objektet dhe furnizimet ushtarake disa herë në javë.

Kievi ishte sulmuar edhe gjatë natës, ndërsa një natë më parë, më 28 maj, kishte pësuar atë që po përshkruhet si vala më e madhe e sulmeve ajrore me dronë nga forcat ruse.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG