Ndërlidhjet

Hovenier: Thellësisht të shqetësuar për situatën në veri


Një makinë me flamur amerikan në Zveçan, në kohën kur serbët po protestojnë në këtë komunë, kundër kryetarëve të rinj shqiptarë në veri.
Një makinë me flamur amerikan në Zveçan, në kohën kur serbët po protestojnë në këtë komunë, kundër kryetarëve të rinj shqiptarë në veri.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se bashkësia ndërkombëtare është "thellësisht e shqetësuar" për situatën në veri të Kosovës.

Pas takimit që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ai tha për mediat në Prishtinë se me të parën e vendit ka ndarë "shqetësimin për mundësinë e dhunës dhe nevojën për të shtensionuar situatën".

Hovenier më herët gjatë 29 majit u takua me krerët e Zubin Potokut dhe Zveçanit, dhe i pranishëm në këtë takim ishte edhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog.

"Ne jemi thellësisht të shqetësuar. E përsëris, nuk është mister që Qeveria amerikane dhe qeveritë e QUINT-it së bashku e kanë thënë se është e rëndësishme të shmangen rrethanat kur zyrtarët publikë hyjnë me dhunë në ndërtesat publike. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë, prandaj biseda jonë me kryetarët ishte se si ata mund të përmbushin detyrat e tyre për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve, siç pritet nga ta dhe siç ne duam që ata të veprojnë, por në një mënyrë që tregon se ata janë të përkushtuar për të qenë përgjegjës për të gjithë qytetarët, që për ne tani nënkupton moshyrjen në ndërtesat publike përmes përdorimit të forcës", tha Hovenier.

Në takimin me ambasadorin amerikan morën pjesë vetëm kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci, të cilët vijnë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ndërkaq, kryetari i Mitrovisë së Veriut, Erden Atiq, dhe ai i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk morën pjesë. Hovenier tha se të dy kishin pranuar ftesën për takim.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, duke u larguar nga zyrat e BE-së në Prishtinë.
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, duke u larguar nga zyrat e BE-së në Prishtinë.

Kreu i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, më herët gjatë ditës tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk e di nëse do të shkojë në zyrat komunale.

“Nuk e di nëse do të shkoj në zyre sot. E kam agjendë shumë të ngjeshur. Ta shohim gjatë ditës”, tha Zeqiri, që është nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Më 29 maj, grupe të serbëve lokalë janë mbledhur para ndërtesave komunale në veri për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.

Përveç Policisë së Kosovës, që gjendet para ndërtesave komunale, në veri është vërejtur shtim i pranisë së pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Pas përleshjeve mes Policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë më 26 maj, Shtetet e Bashkuara dënuan ashpër ato që i cilësuan si “masa të dhunshme” të Qeverisë së Kosovës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se veprimet e Qeverisë së Kosovës “përshkallëzuan tensionet pa nevojë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por “çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”.

Zgjedhjet lokale në veri u mbajtën pasi nëntorin e kaluar, krerët e katër komunave veriore, nga Lista Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës - dhanë dorëheqje.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG