Ndërlidhjet

NATO: Trajnimi i pilotëve ukrainas nuk na bën pjesë të konfliktit


Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg. Fotografi nga arkivi.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg. Fotografi nga arkivi.

Trajnimi i pilotëve ukrainas për përdorimin e avionëve luftarakë të prodhimit amerikan, F-16, nuk e bën NATO-n pjesë të konfliktit.

Kështu deklaroi të martën shefi i aleancës ushtarake perëndimore, Jens Stoltenberg.

“Ukraina ka të drejtë të vetëmbrohet... Ne e ndihmojmë Ukrainën që ta zbatojë këtë të drejtë”, tha ai për gazetarët.

“Kjo nuk e bën NATO-n apo aleatët e NATO-s pjesë të konfliktit”, tha ai.

Stoltenberg e vlerësoi si hap shumë të rëndësishëm nisjen e trajnimit të pilotëve, “që do të na mundësojë dërgimin e avionëve në një fazë” të ardhshme.

Shefi i aleancës ushtarake porositi se Perëndimi nuk do të zmpraset para Rusisë, duke shtuar se një vendim i tillë “dërgon një sinjal shumë të qartë se ne jemi këtu për periudhë afatgjatë dhe Rusia nuk mund të llogarisë se ne do të largohemi.

Ndërkaq, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, mirëpriti vendimin e Shteteve të Bashkuara për të lejuar trajnimin e pilotëve ukrainas për përdorimin e avionëve F-16.

Ai tha se një vendim i tillë ka krijuar në momentum që do të shpije te dërgimi i këtyre avionëve në fushëbetejat në Ukrainë.

Borrell tha se gjithmonë ka ngurrim në fillim për vendime të mëdha, duke marrë shembull debatin e gjatë për dërgimin e tankeve luftarake Leopard në Ukrainë.

“Por në fund – sikurse në rastin e Leopardëve – sa i përket avionëve F-16, vendimi merret për t’i ofruar mbështetjen ushtarake Ukrainës sepse është absolutisht e nevojshme”.

Borrell shtoi se trajnimi i pilotëve ukrainas veçse ka nisur në Poloni dhe në disa shtete të tjera, edhe pse Varshava nuk konfirmoi këtë lajm. Holanda dhe Danimarka janë në mesin e shteteve që kanë planifikuar të ofrojnë trajnime të tilla për pilotët ukrainas.

Megjithatë, ende nuk ka një vendim për dërgimin e avionëve luftarakë në Ukrainë, por vetëm trajnimi disamujor i pilotëve.

Ukraina që në nisje të pushtimit nga Rusia në shkurtin e vitit të kaluar, ka kërkuar nga aleatët që t’i dërgojë avionë të sofistikuar.

Me këtë vendim, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka bërë një kthesë, pasi për më shumë se një vit ka refuzuar të miratojë dërgimin e avionëve apo trajnimin e pilotëve nga frika se diçka e tillë mund të përshkallëzojë tensionet me Rusinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG