Ndërlidhjet

Vandalizohet varri i Mahsa Aminit, familja akuzon Qeverinë e Iranit


Xhami i thyer në gurin e varrit të Mahsa Aminit.
Xhami i thyer në gurin e varrit të Mahsa Aminit.

Familja e Mahsa Aminit ka fajësuar forcat e sigurisë së Iranit për vandalizimin e varrit të saj. Vdekja e Aminit, derisa po mbahej në paraburgim në shtator të vitit 2022, ndezi protesta mbarëkombëtare, që janë kthyer në një nga kërcënimet më të mëdha për udhëheqjen e Republikës Islamike që nga marrja e pushtetit në vitin 1979.

Avokati i familjes Amini, Saleh Nikbakht, u tha gazetarëve se "individë, të njohur për veprime të tilla të neveritshme në të kaluarën, sulmuan dhe shkatërruan varrin e Mahsa Amini".

Më pas ai tregoi fotografitë e varrit të dëmtuar që i kishte marrë nga prindërit e Aminit.

Ai tha se babai i saj mori vesh se autoritetet kishin penguar vendosjen e një tende mbrojtëse mbi varr duke kërcënuar një saldator se, nëse ai kryente punën, biznesi i tij do të mbyllej.

E ëma e Mahsas, Mojgan Eftekhari, pasi akuzoi zyrtarët qeveritarë se po e pengojnë qasjen te varrezat, shkroi një mesazh dukë thënë “ju lutemi të mos i shqetësoni njerëzit; të dashurit e tyre janë këtu”.

Ashkan Amini, vëllai i Mahsa Amini, ndau një foto të varrit të motrës së tij në Instagram, duke shkruar se "edhe xhami i gurit tënd të varrit i shqetëson", duke iu referuar zyrtarëve iranianë, të cilët familja dhe mbështetësit i fajësojnë për vdekjen e saj.

Vëllai i Aminit tha se kjo ishte hera e dytë që vandalizohet varri i motrës së tij, duke thënë se "çkado që bëjnë, ne do ta rregullojmë. Të shohim kush do të lodhet i pari".


Vdekja e Mahsa Amini, 22 vjeçares nga qyteti perëndimor iranian Saqez, e cila ishte ndaluar nga Policia e moralit e Iranit, nën akuzat se nuk kishte respektuar rregullat për veshjen e hixhabit apo mbulesës së kokës, ka nxitur protesta në mbarë Iranin.

Grupi i të Drejtave të Njeriut në Iran me bazë në Norvegji tha se trazirat e shkaktuara nga protestat kanë çuar në vdekjen e të paktën 587 personave, në mesin e të cilëve dhjetëra fëmijë dhe adoleshentë.

Forcat qeveritare iraniane janë akuzuar se kanë sulmuar, vandalizuar dhe shkatërruar varret e protestuesve të vrarë dhe të ekzekutuar, figurave kulturore, poetëve, shkrimtarëve, artistëve, kritikëve politikë, dhe në disa raste, edhe të të krishterëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG