Ushtria e Sudanit ka kryer sulme ajrore në kryeqytet, Kartum, të hënën, thanë banorët, teksa ushtria po tenton të fitojë terren kundrejt rivalëve paramilitarë disa orë para se të hyjë në fuqi një armëpushim njëjavor.
Armëpushimi synon të lejojë dërgimin e ndihmës për banorët e Sudanit.
Ushtria po ashtu ka kryer sulme ajrore edhe mbrëmjen e së dielës, duke shënjestruar makina ushtarake të Forcës paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë, që operojnë në zonat e banuara në kryeqytet.
Luftimet mes ushtrisë dhe kësaj force kanë nisur më 15 prill.
Të dyja palët kanë thënë se do të respektojnë marrëveshjen që do të nisë në orën 21:45, sipas kohës lokale.
Në armëpushimet paraprake ka pasur luftime, por kjo është hera e parë që palët pajtohen për armëpushim pas negociatave.
Në marrëveshjen e armëpushimit është përfshirë edhe mekanizimi i monitorimit, ku do të marrin pjesë përfaqësues të ushtrisë dhe forcës paramilitare. Po ashtu, në këtë mekanizëm do të ketë përfaqësues të Arabisë Saudite dhe Shteteve të Bashkuara, që ndërmjetësuan marrëveshjen pas bisedimeve në Xhedah.
Marrëveshja ka rritur shpresat se lufta do të ndërpritet. Si pasojë e luftimeve, pothuajse 1.1 milion persona janë larguar nga shtëpitë e tyre, përfshirë edhe mbi 250.000 që janë larguar në shtetet fqinje, duke kërcënuar destabilizimin e rajonit.
Të hënën, banorët kanë raportuar për sulme ajrore në Kartum, Omduram dhe Bahri. Po ashtu është raportuar për luftime në qendër të Kartumit.
Dy gjeneralët që po luftojnë janë ai i ushtrisë, Abdel Fattah al-Buhran dhe udhëheqësi i forcave paramilitare, Mohamed Hamdan Dagalo. Që të dy kanë mbajtur pozita udhëheqëse në këshillin që udhëheq shtetin që nga viti 2019, kur u rrëzua nga pushteti Omar al-Bashir. Dy vjet më vonë, gjeneralët organizuan një grusht-shtet, duke marrë nën kontroll shteti.
Por, që të dy kanë mospajtime lidhur me procesin e tranzicionit në sundim civil.
Luftimet nisën më 15 prill për shkak të mosmarrëveshjeve mes dy gjeneralëve lidhur me planet që Forcat e Mbështetjes së Shpejtë t’i bashkohet ushtrisë dhe se kush do ta udhëheqë ushtrinë e re.