Irani është duke e zbatuar një sistem të ri modern të pagesave, për ta bërë më të lehtë për qytetarët që ta shfrytëzojnë transportin publik dhe të marrin bukën e tyre të përditshme të subvencionuar. Por, afganët që jetojnë në vend thonë se kanë mbetur prapa për shkak të politikave të imigracionit që kufizojnë qasjen e tyre në kartela bankare.
Sipas ankesave të tyre, mungesa e qasjes në kartelat bankare e bën të vështirë për emigrantët afganë të përdorin metrotë e qytetit, të përdorin shërbimet e telefonisë mobile dhe madje të marrin bukën e përditshme.
Mirwais, i cili ka jetuar në qytetin jugperëndimor të Shirazit për më shumë se 20 vjet, thotë se kufizimet shtojnë "presionin" që ai dhe afganët e tjerë përballen çdo ditë në Iran.
"Të gjithë emigrantët përballen me këtë... Qoftë në Shiraz, Teheran apo Isfahan, migrantët vuajnë dhe janë nën presion në të gjithë Iranin", tha Mirwais, i cili dha vetëm emrin e tij në një intervistë telefonike për Radio Azadi të Radios Evropa e Lirë.
Kërkesat e vendosura vite më parë pengojnë shumë komunitetin e madh afgan në Iran t’i marrin kartela bankare, duke rezultuar me mungesë qasjeje në shërbimet thelbësore.
Teksa Irani ka kaluar në bankimin nëpërmjet internetit, blerjet në internet dhe leximin e kartelave digjitale, emigrantët duhet të shkojnë ende fizikisht në një bankë për të bërë tërheqje ose për të dërguar pagesa bankare.
Disa afganë që jetojnë në Iran thonë se nuk mund të hapin fare llogari bankare, ndërsa të tjerë ankohen se përballen me kufizime në shumën që ata mund të tërheqin.
Marrja e shërbimit të telefonisë mobile është bërë gjithashtu e vështirë për shkak të masave të rrepta për të kufizuar përdorimin e kartave SIM të paregjistruara.
Afganët duhet të mbështeten në zgjidhjet tjera për dështimet e shërbimit, për të blerë ushqimin ose për të udhëtuar, sepse ky problem është shtuar nga nevoja për kartela bankare për të blerë bileta transporti ose për të aplikuar për karta të reja inteligjente për blerjen e mallrave të subvencionuara nga furrat e bukës.
Mohammad Amiri është 26 vjeç dhe jeton në Teheran me gruan dhe fëmijën e tij për më shumë se dy vjet. Por, ai ende përballet me vështirësi në përditshmëri gjatë shërbimeve për të cilat nevojiten pagesa me kartelë banke.
"Në metronë e Teheranit, ju duhet të paguani me kartelë bankare. Ata nuk pranojnë para. Disa [iranianë] blejnë bileta për ne [në këmbim të parave], por të tjerët jo... Për fat të keq, si emigrantë afganë, ne nuk kemi të drejtë të kemi një kartelë bankare apo edhe një kartë SIM. Ky është një problem i vërtetë për ne”, tha ai për Radio Azadi në një mesazh në WhatsApp.
Të njëjtin zhgënjim shprehu edhe Mirwais, duke thënë se nëse pasagjerët e tjerë nuk janë të gatshëm të blejnë biletë elektronike për ta, ai dhe afganët e tjerë duhet të marrin taksi që shpenzon shumë më shumë.
Tutje, ai tha se e njëjta situatë vlen edhe për furrat, pasi së fundi është prezantuar një sistem “i modernizuar”, ku për të pasur qasje në të nevojiten kartela të veçanta që ua mundësojnë konsumatorëve ta kryejnë pagesën automatikisht, ku pastaj do të ulej blerja e tyre përmes një llogari të subvencionuar nga shteti.
Nisma është shpallur nga zyrtarët si një mënyrë për të shpërndarë sa më proporcionalisht subvencionet, për të lehtësuar rritjen e çmimeve të miellit dhe bukës dhe për eliminimin e korrupsionit.
Zyrtarët kanë mohuar se po lënë mbrapa dikë me këtë sistem dhe janë zotuar të rregullojnë çdo vështirësi që rrjedh nga sistemet e reja, duke thënë se ka alternativa për përdorimin e kartave bankare dhe se metroja e Teheranit u lejon shtetasve afganë, të cilët kanë probleme me pagesën, të udhëtojnë falas.
Por, afganët që folën për Radio Azadi thanë se realiteti është shumë më ndryshe.
"Gruaja ime i ofroi bukëpjekësit para gjashtë herë, por bukëpjekësi nuk i pranoi, duke thënë se duhet të sillte një kartelë bankare. Ka disa [iranianë] që ofrojnë kartat e tyre, një në 1000. Ata japin kartat e tyre dhe marrin para për të zgjidhur problemin... Shkojmë në bankë, nuk na i pranojnë pasaportat, shkojmë të blejmë një kartë SIM, nuk na i pranojnë pasaportat. Duhet të jetë e lehtë të përdorësh metronë, por qeveria e bën të vështirë për emigrantët”, tha Mirwais.
Ankesa të shumta ka pasur për diskriminim dhe abuzim. Rreth tre milionë afganë, shumë prej të cilëve janë refugjatë dhe migrantë pa dokumente, jetojnë në Iran.
Pasi talibanët morën pushtetin në Afganistan në vitin 2021, më shumë se një milion afganë arritën në Iran po në atë vit, shpesh rrugës për në vendet e treta. Autoritetet iraniane thuhet se kanë deportuar më shumë se gjysmën e emigrantëve të fundit.
Dekada më parë mes trazirave politike dhe luftës, shumë emigrantë afganë në Iran u shpërngulën në Republikën Islamike. Irani ka qenë, gjithashtu, prej kohësh një destinacion për punëtorët emigrantë afganë që kërkojnë punë sezonale.
Në Iran, emigrantët ndahen zyrtarisht në dy kategori: ata që janë të dokumentuar dhe kanë pasaporta, rezidencë ose karta imigrimi, si dhe ata pa dokumente. Grupi i fundit përfshin afganë që nuk kanë pasur kurrë pasaporta në vendin e tyre.
Irani ofron leje qëndrimi njëvjeçare për të emigrantët e ardhur së fundi, dhe ka thënë se do të ofrojë qasje të plotë në shërbimet bankare dhe sociale, duke përfshirë sigurimin shëndetësor që është në dispozicion për të gjithë emigrantët që regjistrojnë të dhënat e tyre personale në Ministrinë e Brendshme.
Sipas ministrisë, deri më tani janë regjistruar më shumë se dy milionë shtetas të huaj.
Por, i zhytur në krizën e tij ekonomike mes inflacionit në rritje dhe rritjes së çmimeve të ushqimeve, Irani shpesh ka ngritur alarmin për numrin e afganëve pa dokumente që kanë ardhur.
Afganët pa dokumente, si Amiri, kanë pak shpresë për të fituar qasje në shërbimet bazë, madje edhe ata që kanë leje qëndrimi mund të mbajnë llogari bankare vetëm për një periudhë njëvjeçare të qëndrimit të tyre.
"Ne nuk mund të hapim një llogari bankare, sepse nuk kemi asnjë dokument [identifikimi] me vete. Kemi aplikuar në disa banka, por na kanë thënë që duhet të presim. Pra, ne vetëm presim të shohim se çfarë do të ndodhë. Të kemi një kartë bankare është shumë e rëndësishme për ne, për jetën tonë të përditshme”, tha Amiri.