Përfaqësuesit e Ukrainës, Rusisë, Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara (OKB) zhvilluan bisedime në Stamboll, më 11 maj, lidhur me propozimet e OKB-së për të zgjeruar iniciativën për transportin e grurit përmes Detit të Zi.
Marrëveshja mundëson eksportin e sigurt të grurit ukrainas, ndërkohë që Moska ka kërcënuar të tërhiqet nëse kërkesat e saj nuk plotësohen.
Pas bisedimeve, zëvendëskryeministri ukrainas Oleksandr Kubrakov tha se puna duhet të zgjatet për një periudhë më të gjatë dhe të zgjerohet.
“OKB-ja dhe Turqia, si nënshkruese të nismës, e kuptojnë se nisma për drithërat është e një rëndësie kritike për sigurinë globale të ushqimit dhe duhet të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme. Prandaj, sipas propozimit të tyre, konsultimet e mëtejshme për zhbllokimin e nismës do të vazhdojnë në formatin online”, tha Kubrakov.
Ukraina po bën presion të zgjasë marrëveshjen e saj të eksportit të grurit përmes Detit të Zi, në kohën kur pala ruse po kërcënon të tërhiqet nga marrëveshja.
OKB-ja dhe Turqia ndërmjetësuan për marrëveshje, në korrik të vitit 2022, për të lehtësuar krizën globale të ushqimit, e cila u shkaktua nga pushtimi rus i Ukrainës. Marrëveshja ndihmoi që ushqimi të arrijë tek njerëzit në vendet më të varfra në Afrikë, Lindje të Mesme dhe Azi.
Ajo u zgjat deri më 18 maj, por Rusia ka thënë për javë të tëra se do të largohet nga marrëveshja nëse nuk plotësohen kërkesat e saj.
OKB-ja njoftoi se në takimin e 11 majit u diskutua për propozimet e fundit të OKB-së, duke përfshirë rifillimin punës së tubacionit të amoniakut, i cili dërgon amoniakun rus në një port ukrainas të Detit të Zi, vazhdimin për kohë më të gjatë të marrëveshjes dhe përmirësimet në krijimin e një Qendre të Përbashkët Koordinuese (JCC) në Stamboll, për të monitoruar biznesin dhe eksportin.
Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se është bërë përparim në bisedime dhe se palët janë pajtuar të vazhdojnë takimet teknike katërpalëshe për marrëveshjen.
Rusia publikoi një listë kërkesash në lidhje me eksportet e saj bujqësore, të cilat dëshiron të përmbushen përpara se ajo të pajtohet për zgjatje të marrëveshjes. Ndërsa eksportet e tilla ruse nuk i nënshtrohen sanksioneve perëndimore të vendosura pas pushtimit të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, Moska thotë se kufizimet e pagesave, logjistikës dhe sigurimeve po pengojnë dërgesat.
Zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Vershinin, duke folur për mediat ruse në Stamboll, tha se nëse kërkesat ruse mbeten të pazgjidhura, marrëveshja e Detit të Zi “do të pushojë së ekzistuari” më 18 maj.
Ai shtoi se nuk është shënuar përparim në rilidhjen e Bankës Bujqësore Ruse (Rosselkhozbank) me sistemin e pagesave SWIFT.
Kjo bankë është në mesin e shumë bankave ruse të shkyçura nga sistemi, më shumë se një vit më parë, për shkak të sanksioneve të vendosura pasi pushtimit rus të Ukrainën, ndërkaq Rusia, për të rënë dakord për të zgjatur kontratën e grurit, vendosi si kusht heqjen e sanksioneve.