Teksa luftimet mes forcave ruse dhe atyre të Ukrainës vazhduan muajin e kaluar, presidenti Vladimir Putin iu bashkua homologut të tij turk, presidentit Recep Tayyip Erdogan, nëpërmjet një video lidhjeje për të festuar ngarkimin me derivate të projektit të parë bërthamor për përdorim joluftarak të këtij shteti anëtar të NATO-s.
I ndërtuar nga korporata bërthamore shtetërore ruse, Rosatom, termocentrali masiv, 20 miliardë dollarësh, ndoshta simbolizon më së miri lidhjet energjetike dhe ekonomike që të dy liderët krijuan gjatë dy dekadave të tyre në pushtet si udhëheqës të vendeve të tyre përkatëse.
Pjesëmarrja virtuale e Putinit në ceremoninë madhështore mund të jetë nxitur më pak nga nevoja e brendshme për të treguar ndikimin e Moskës jashtë vendit, sesa për të mbështetur një tjetër lider autoritar në nevojë.
Ngjarja e 27 prillit ndodhi më pak se tri javë para zgjedhjeve presidenciale të 14 majit në Turqi, sfida më e vështirë e Erdoganit deri sot.
Mes vështirësive të thella ekonomike, sondazhet kanë treguar se ai është pas Kemal Kilicdaroglut, kreut të Partisë Popullore Republikane të qendrës së majtë (CHP).
Gjatë ceremonisë, Putin la të kuptohet në mënyrë delikate për rezultatin e tij të preferuar të zgjedhjeve, i cili do të ketë pasoja për Moskën, Kievin, Uashingtonin dhe Brukselin.
“Ndërtimi i termocentralit të parë bërthamor në Turqi dhe… krijimi i një industrie të re, të avancuar me teknologji të lartë nga e para është një shembull tjetër bindës se sa shumë po bëni ju, president Erdogan, për vendin tuaj, për rritjen e ekonomisë së tij, për të gjithë qytetarët turq”, tha Putin gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë në të gjithë Turqinë.
“Dua ta them qartë: Ju jeni në gjendje të vendosni synime ambicioze dhe të ecni me besim drejt zbatimit të tyre”.
Lëvdatat e Putinit ishin vetëm shenja e fundit e mbështetjes së tij për Erdoganin, 69 vjeç, sundimi autoritar dhe retorika antiperëndimore e të cilit u kanë shërbyer interesave të Moskës duke minuar unitetin në NATO dhe duke nënvlerësuar sanksionet gjithëpërfshirëse perëndimore të vendosura ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.
Verën e shkuar, Rusia transferoi miliarda dollarë në njësinë turke të Rosatom-it për punët në ndërtimin shumë kohë përpara afatit, një veprim për të cilin ekspertët thanë se kishte për qëllim mbështetjen e monedhës së paqëndrueshme të Turqisë.
Nëse Kilicdaroglu, një ish-burokrat 74-vjeçar që drejtoi agjencinë e sigurimeve shoqërore të vendit, fiton zgjedhjet, mbështetja e Putinit për Erdoganin mund të rezultojë e paefektshme.
Kilicdaroglu ka shprehur synimin e tij për të rivendosur marrëdhëniet me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat Erdogan i dëmtoi përmes shtypjes së tij politike dhe përfshirjes në rajone si Siria dhe Nagorno-Karabaku. Një fitore e tij e mundshme mund të rezultojë edhe me pranimin e shpejtë të Suedisë në NATO, një hap që Rusia e ka kundërshtuar me këmbëngulje.
“Disfata e Erdoganit nuk do të ishte e mirë për Putinin”, tha Mark Katz, profesor i shkencave politike në Universitetin George Mason, i cili fokusohet në marrëdhëniet e Rusisë me Lindjen e Mesme.
"Putini nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse t'i drejtohet Kilicdaroglut nëse ai është fituesi. Ai do të duhet të pranojë që Kilicdaroglu të afrohet deri në një farë mase me Perëndimin, në mënyrë që ta dekurajojë atë që të afrohet edhe më shumë me të".
Ngjitja e liderëve si Erdogani dhe Putini ka qenë një shkak për shqetësim për Uashingtonin dhe Brukselin që nga fillimi i shekullit, pasi përparimet pluraliste të bëra në dekadën pas rënies së komunizmit në Evropën Qendrore dhe Lindore, janë përkeqësuar. Nëse Erdogan do të humbiste, kjo do të tregonte se forcat demokratike në të gjithë globin janë ende "të gjalla", thotë Steven Cook, një bashkëpunëtor i lartë për studimet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, me qendër në Nju Jork.
"Do të ishte një goditje për atë lloj autoritarizmi global, populist, lider i të cilit është padyshim Putini”, thotë Cook.
Afërsi vëllazërore
Putin ka të ngjarë të jetë takuar me Erdoganin më shpesh se çdo lider tjetër i huaj jashtë ish-Bashkimit Sovjetik. Që kur Erdogan mori postin e kryeministrit në vitin 2003, gjatë mandatit të parë presidencial të Putinit, të dy kanë krijuar një marrëdhënie të fortë pune, të cilën disa e kanë cilësuar si "afërsi vëllazërore".
Megjithëse Putin dhe Erdogan kanë pasur mosmarrëveshje me njëri-tjetrin ndonjëherë, si në vitin 2015 kur Putin akuzoi avionët luftarakë turq për rrëzimin e një avioni luftarak rus pranë kufirit sirian-turk, të cilin ai e quajti një "thikë pas shpine", ata kanë gjithashtu mori qëndrimesh të kundërta për shqetësime të ndryshme të rëndësishme të politikës së jashtme, veçanërisht për pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Ankaraja ka vazhduar t'i sigurojë Kievit dronë vdekjeprurës.
Megjithatë, ata janë të bashkuar nga kundërshtimi i tyre i përbashkët ndaj asaj që ata e konsiderojnë si një rend global i dominuar nga Perëndimi dhe përbuzja e tyre e përbashkët për disa nga vlerat që përkrahen gjerësisht në Perëndim.
"Ata të dy e shohin veten si [udhëheqës] fuqi të mëdha të pakënaqura që nuk respektohen mjaftueshëm dhe të dy kanë ankesa kundër Perëndimit. Ja ku e gjetën njëri-tjetrin Erdogan dhe Putin", tha Katz.
“Çfarëdo dallimi që ekzistonte mes tyre, për sa kohë që Erdogan ishte anti-perëndimor, kjo ishte gjëja kryesore për Putinin”, tha ai.
Sondazhet e opinionit i kanë dhënë Kilicdaroglut, i cili mbështetet nga një aleancë prej gjashtë partish, një epërsi të lehtë ndaj Erdoganit. Nëse asnjë nga katër kandidatët nuk merr më shumë se 50 për qind të votave, balotazhi do të mbahet më 28 maj.
Gjatë viteve 2000, kur ai shërbente si kryeministër, që ishte pozita më me ndikim në Turqi në atë kohë, Erdogan ishte i popullarizuar dhe ekonomia e vendit lulëzoi. Megjithatë, popullariteti i tij ka rënë pasi inflacioni në rritje dhe rënia e standardit të jetesës vitet e fundit kanë prekur shumë votues.
Marrëdhënie të tensionuara
Reputacioni i Erdoganit në Perëndim ka rënë si rezultat i veprimeve të tij, të cilat përfshijnë kthimin prapa të demokracisë, shtypjen e lirisë së fjalës, dobësimin e institucioneve qeveritare si gjykatat dhe ndjekjen e asaj që analistët e përshkruajnë si një politikë të jashtme "agresive" dhe të pavarur që përfshin lidhje më të ngushta me Putinin, duke çuar në marrëdhënie të tensionuara, si me Uashingtonin, ashtu edhe me Brukselin.
Pas një përpjekjeje për grusht shteti të vitit 2016, për të cilin Erdogan fajësoi një klerik me bazë në SHBA, ai arriti një marrëveshje me Putinin për të blerë një sistem raketor anti-ajror rus S-400 prej 2.5 miliardë dollarësh, i cili shkaktoi sanksione të SHBA-së kundër industrisë turke të mbrojtjes.
Shtetet e Bashkuara e kundërshtuan blerjen, nga frika se sistemi rus mund t'i mundësonte Moskës të mbledhë inteligjencë mbi teknologjinë e saj luftarake F-35, të cilën Turqia e kishte porositur dhe po ndihmonte gjithashtu në ndërtimin e saj.
Ekspertët sugjerojnë se Erdogani mund të ketë nënvlerësuar gatishmërinë e Qeverisë amerikane për të vendosur sanksione ndaj industrisë së mbrojtjes, dhe si rezultat, ndjeu se duhej të vazhdonte me marrëveshjen e diskutueshme S-400 me Rusinë për të shmangur dëmtimin e reputacionit të tij.
Përveç marrëdhënieve të tensionuara me SHBA-në, Erdogan ka pasur edhe konflikte me disa vende të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Francën për ndërhyrjen e Turqisë në Libi dhe Greqinë dhe Qipron për depozitat e energjisë dhe kufijtë detarë në Mesdheun Lindor.
Ai, madje, ka bllokuar përpjekjet e Suedisë dhe Finlandës për t'u bashkuar me NATO-n, si përgjigje ndajpushtimit rus të Ukrainës, duke i akuzuar ato për strehimin e "organizatave terroriste" kurde.
Nëse Kilicdaroglu i fiton zgjedhjet, ai është zotuar të rivendosë sundimin e ligjit, të miratojë një formë parlamentare të qeverisjes dhe të adresojë çështjen me SHBA-në mbi S-400.
Analistët parashikojnë se ai, gjithashtu, do të përshpejtonte mbështetjen për hyrjen e Suedisë në NATO.
*EXPOSÉ: Sprova e madhe e Erdoganit
Lufta e Rusisë
Pavarësisht se shkaktoi zhgënjim në Perëndim, Erdogan luajti një rol kyç në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje midis Moskës dhe Kievit që lejon Ukrainën të eksportojë grurë përmes Detit të Zi.
Rusia kishte bllokuar më parë portet e Ukrainës në një përpjekje për të dëmtuar ekonominë e saj, gjë që kishte çuar në një rritje të çmimeve të grurit në nivel global.
Megjithatë, nëse Erdogan humb zgjedhjet, zbatimi afatgjatë i marrëveshjes mund të vihet në pikëpyetje, sipas Cook. Marrëveshja do të përfundojë vetëm disa ditë pas zgjedhjeve të 14 majit.
"Do të jetë më sfiduese për të ruajtur këtë marrëveshje të grurit pasi ajo bazohet pjesërisht në raportin e vendosur ndërmjet Putinit dhe Erdogan", tha ai. "Unë besoj se ne jemi të prirë të nënvlerësojmë kiminë personale midis liderëve autoritarë", shtoi Cook.
Kilicdaroglu përshkruhet si një teknokrat me fjalë të buta, të cilit i mungon karizma e Erdoganit.
Erdogan ka ecur në një pe të hollë që kur Rusia pushtoi Ukrainën, duke e quajtur agresionin e Moskës "të papranueshëm" dhe duke furnizuar Ukrainën me dronë luftarakë, derisa vazhdon të bëjë biznes me Moskën. Turqia ka qenë, gjithashtu, një kanal kyç për mallrat e sanksionuara perëndimore të destinuara për Rusinë.
Sipas ekspertëve, edhe nëse Kilicdaroglu del fitues, Turqia do të vazhdojë të balancojë interesat e Ukrainës dhe Rusisë, gjë që përfshin kundërshtimin e sanksioneve perëndimore ndaj Moskës.
Një nga arsyet për këtë është ekonomia e vështirë e Turqisë dhe mbështetja e saj e madhe në energjinë dhe investimet ruse. Ky vendi, aktualisht, po përjeton periudhën e vet më të keqe të inflacionit në dekada, gjë që e bën atë shumë të prekshëm ndaj goditjeve të jashtme si rritja e papritur e çmimeve të energjisë.
Turqia siguron afërsisht 45% të nevojave të saj për gaz natyror dhe sasi të konsiderueshme nafte dhe qymyri nga Rusia. Për më tepër, sektori i saj bërthamor jo-ushtarak do të mbështetet gjithashtu te Rusia për t’u furnizuar me karburant për termocentralet e saj.
Vitin e kaluar, Putin uli furnizimet me energji në BE pas vendosjes së sanksioneve të gjera ndaj Rusisë, duke çuar në një rritje të çmimeve të energjisë. Sanksionet perëndimore e kanë bërë, gjithashtu, Turqinë një destinacion më tërheqës për bizneset dhe turistët rusë, të cilët po ofrojnë para dhe investime shumë të nevojshme për vendin, duke rezultuar në një rritje të tregtisë midis dy vendeve.
“Nuk është fushë me lule”
Sipas Asli Aydintasbas, një bashkëpunëtore në Institutin Brookings në Uashington, nëse Kilicdaroglu fiton zgjedhjet, ai do t'i jepte përparësi Evropës fillimisht, por ai nuk do ta lërë Putinin në baltë për një periudhë të gjatë.
"Herët a vonë ai do t'i drejtohej Putinit dhe do t’i tregonte se ata nuk po planifikojnë të rrezikojnë interesin e Rusisë në Turqi. Pyetja kryesore është se si do t'i përgjigjet Putini një gjëje të tillë", tha ajo.
Sipas Aydintasbas, edhe nëse marrëdhëniet me Rusinë mbeten të forta nën udhëheqjen e Kilicdaroglut, rivendosja e shtetit të së drejtës do të ishte ende vendimtare për riparimin e lidhjeve aktuale "jofunksionale" me Shtetet e Bashkuara.
“Brenda natës, kjo mund të largojë disa nga burimet e bezdisjes në marrëdhënien e dyanshme”, tha ajo. Por, shtoi se disa do të mbeten të goditur nga ndjenjat anti-amerikane dhe anti-NATO në vend, duke zbutur perspektivat për përmirësimin e ndjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe nën një udhëheqës të ri në Ankara.
Cook, i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, ishte dakord.
"Unë, thjesht, nuk mendoj se do të jetë fushë me lule për Shtetet e Bashkuara dhe Turqinë pas zgjedhjeve, pavarësisht se cili do të jetë rezultati", tha ai.