Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bëri të ditur se lista e barnave esenciale në Kosovë është zgjeruar me edhe rreth 70 lloje të reja të barnave.
Vitia tha se nga këto produkte do të përfitojnë qytetarët që ballafaqohen me sëmundje të ndryshme kronike.
“Janë shtuar diku mbi 70 produkte të reja për trajtimin e sëmundjeve për qytetarët, të cilët vuajnë nga sëmundje kronike dhe për t'i zgjidhur mundësitë e kurimit për ta”, theksoi Vitia.
Ministri Vitia bëri të ditur se buxheti për listën esenciale të barnave për këtë vit do të jetë 60 milionë euro.
Sipas tij, me këtë buxhet përmbushen deri në një masë nevojat shëndetësore të qytetarëve që të kenë tërë kohën barna me kosto sa më të përballueshme.
“Lista esenciale e barnave është bërë në bazë të kërkesave të klinikave dhe spitaleve në përputhje me buxhetin që e kemi pasur në dispozicion. Buxheti i paraparë sivjet për mbulimin e barnave esenciale është rreth 60 milionë euro, që paraqet një rritje të ndjeshme krahasuar me vitet paraprake”, tha ministri Vitia.
Në të njëjtën konferencë për media, ministri Vitia komentoi edhe një tender të hapur në vitin 2020 për sigurimin e insulinave.
Ai akuzoi Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), që sipas tij, ka bërë vazhdimisht presion mbi Ministrinë e Shëndetësisë të Kosovës për nënshkrimin e një kontrate me një operator ekonomik, pavarësisht se ky i fundit nuk i ka garancitë e cilësisë për produktin që përdoret për trajtimin e sëmundjes së diabetit.
Ministria Vitia tha se OSHP-ja ka tejkaluar kompetencat e veta duke hyrë edhe në interpretime ligjore, të cilat nuk i takojnë.
“[OSHP-ja] ka bërë një precedent duke bërë presion në MSH-në për të nënshkruar diçka që për mendimin tonë dhe të zyrës ligjore është i paligjshëm dhe ajo që mendojmë se është edhe më e rëndësishmja, mund ta dëmtojë shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Vitia.
Ky tender ishte hapur në fund të vitit 2020.
Nga vitit 2021, menaxherët aktualë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar që ky tender të anulohet dhe në një tender të ri t'u mundësohet aplikimi kompanive që plotësojnë kërkesat ligjore.