Ndërlidhjet

Putin: Një “luftë e vërtetë” po bëhet kundër Rusisë


Russian President Vladimir Putin attends a military parade on Victory Day.
Russian President Vladimir Putin attends a military parade on Victory Day.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se një “luftë e vërtetë” po zhvillohet sërish kundër vendit të tij, ndërsa akuzoi elitat perëndimore për “mbjellje të urrejtjes dhe të rusofobisë”.

“Qëllimi i tyre nuk është gjë tjetër, veçse ta shohin rënien e vendit tonë”, tha Putin, duke mos ofruar asnjë provë për pretendimet e tij.

Ai i bëri komentet para të tubuarve në Sheshin e Kuq të Moskës, për nder të 78-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Nëntë Maji, që në Rusi njihet si Dita e Fitores, kujton mposhtjen e Gjermanisë naziste më 1945.

Putin, vendi i të cilit ka nisur pushtimin e Ukrainës qysh nga shkurti i vitit të kaluar, tha se “është krenar për ushtarët që po marrin pjesë” në, siç e quajti ai, “operacionin special ushtarak” të Rusisë.

Ai tha se shtetësia dhe e ardhmja e Rusisë “varen nga këta njerëz”.

“Sot, qytetërimi është përsëri në një pikë vendimtare kthese. Një luftë e vërtetë ka nisur kundër atdheut tonë. Ne kemi zmbrapsur terrorizmin ndërkombëtar, do t’i mbrojmë banorët e Donbasit dhe do të garantojmë sigurinë tonë”, tha Putin.

“Nuk ka kauzë më të fortë në botë se dashuria jonë për forcat tona të armatosura”, shtoi ai.

Parada ushtarake në Moskë, 9 maj 2023.
Parada ushtarake në Moskë, 9 maj 2023.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainë më 24 shkurt të vitit 2022.

Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh të ashpra ekonomike dhe diplomatike kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.

Gjatë paradës ushtarake në Sheshin e Kuq, të pranishëm ishin edhe udhëheqës të ish-shteteve sovjetike, përfshirë Kazakistanin, Uzbekistanin, Taxhikistanin, Kirgizinë, Bjellorusinë dhe Armeninë.

Këto vende kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik në kohën e Luftës së Dytë Botërore, por kanë shpallur pavarësinë e tyre pasi blloku sovjetik, i dominuar nga Rusia, është shembur në vitin 1991.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG