Ndërlidhjet

Sulmet ajrore tronditin Sudanin, pas negociatave pa sukses për armëpushim


Kryeqyteti i Sudanit, Khartoum, i goditur nga sulme ajrore, 1 maj 2023.
Kryeqyteti i Sudanit, Khartoum, i goditur nga sulme ajrore, 1 maj 2023.

Sulmet ajrore tronditën sërish kryeqytetin e Sudanit më 8 maj, teksa bisedimet e fundit të armëpushimit në Xheda nuk rezultuan të suksesshme. Një diplomat saudit tha se të dyja palët e konsiderojnë veten “të afta për ta fituar betejën”.

Luftimet në Sudan nisën më 15 prill midis forcave të shefit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan, dhe zëvendësit të tij të kthyer në rival, Mohamed Hamdan Daglo, i cili kryeson Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

Që nga atëherë, betejat kanë lënë qindra njerëz të vrarë, mijëra të plagosur dhe miliona të tjerë të bllokuar brenda shtëpive të tyre, mes mungesës së madhe të ujit, ushqimit dhe produkteve të tjera bazike.

Gjeneralët kanë dërguar përfaqësues në Arabinë Saudite për ta negociuar një armëpushim humanitar në një përpjekje të mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara, por këto negociata nuk kanë pasur rezultat deri më tani.

Deri të hënën, bisedimet nuk patën “asnjë përparim të madh”, tha një diplomat saudit për agjencinë e lajmeve AFP, duke folur në kushte anonimiteti.

“Armëpushimi i përhershëm nuk është në tryezë... Secila palë beson se është e aftë ta fitojë betejën”, shtoi diplomati.

“Ka rrezik kudo”

Luftimet kanë shkaktuar një eksod masiv të të huajve dhe sudanezëve përmes fluturimeve, udhëtimeve përmes detit dhe udhëtime të vështira tokësore drejt Egjiptit, Çadit, Sudanit Jugor dhe vendeve të tjera fqinje.

“Ka rrezik kudo”, tha Rawaa Hamad, i cili u arratis nga Port Sudan në një fluturim evakuimi për në Katar të hënën duke transportuar 71 persona.

Në Sudan, tha ajo, nuk ka “aspak siguri tani, për fat të keq”, teksa shtetasit detyrohen të jetojnë me “mungesën e gjithçkaje – mungesën e ujit, mungesën e karburantit, mungesën e ilaçeve, madje edhe mungesën e spitaleve dhe mjekëve”.

Përpjekjet për ndërmjetësim

Arabia Saudite po punon për vendosjen e “një afati kohor për negociata të zgjeruara për të arritur një ndërprerje të përhershme të armiqësive”, tha ministria e saj e Jashtme.

Bisedimet në Xheda, të cilat do të vazhdojnë “në ditët në vijim”, synojnë të arrijnë “një ndalesë efektive afatshkurtër” të luftimeve, për ta lehtësuar shpërndarjen e ndihmës dhe rivendosjen e shërbimeve bazike, thuhet në deklaratën e ministrisë arabe.

Që nga mesi i prillit, marrëveshje të shumta armëpushimi janë shpallur dhe janë shkelur shpejt në vendin e goditur nga varfëria, që gjithashtu ka një histori të gjatë jostabiliteti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG