Ndërlidhjet

Shtëpia e Bardhë kërkon mbrojtjen e publikut nga inteligjenca artificiale


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Shefat e teknologjisë janë thirrur në Shtëpinë e Bardhë dhe janë këshilluar që ta mbrojnë publikun nga rreziqet e inteligjencës artificiale.

Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, Sundar Pichai nga Google, Satya Nadella nga Microsoft dhe Sam Altmann nga OpenAI e kanë “detyrë morale” ta mbrojnë shoqërinë.

Produktet e inteligjencës artificiale, si ChatGPT dhe Bard, të vëna në funksion së voni, kanë rrëmbyer imagjinatën e publikut.

Ato u ofrojnë përdoruesve të zakonshëm mundësi për të bashkëvepruar me atë që njihet si “inteligjencë artificiale gjeneruese”, e cila mund të përmbledhë informacione nga burime të shumta brenda sekondave, të shkruajë prezantime, e madje edhe poezi, që tingëllojnë në mënyrë të besueshme, sikur të jenë të shkruara nga njerëz.

Drejtuesve të teknologjisë, të mbledhur në Shtëpinë e Bardhë, u është thënë se u takon firmave “të garantojnë sigurinë e produkteve të tyre”

Ata, po ashtu, janë paralajmëruar se administrata e presidentit Joe Biden është e hapur ndaj rregulloreve dhe legjislacionit të ri për të mbuluar inteligjencën artificiale.

Sam Altmann, shefi ekzekutiv i OpenAi - firmës që qëndron pas ChatGPT-it - u ka thënë gazetarëve se, sa i përket rregullores, udhëheqësit e teknologjisë “kanë ndarë të njëjtin mendim për atë që duhet të ndodhë”. Altmann nuk ka ofruar më shumë detaje.

Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, ka thënë pas takimit se teknologjia e re mund të përbëjë rrezik për sigurinë, privatësinë dhe të drejtat civile, ndonëse, sipas saj, ka potencial edhe për ta përmirësuar jetën.

Sektori privat ka “përgjegjësi etike, morale dhe ligjore për ta garantuar sigurinë e produkteve të tij”, tha ajo.

Shtëpia e Bardhë ka ndarë 140 milionë dollarë nga Fondacioni Kombëtar i Shkencës për të krijuar shtatë institute të reja kërkimore të inteligjencës artificiale.

Në fillim të kësaj jave, personi që është konsideruar “baba” i inteligjencës artificiale, Geoffrey Hinton, ka lënë punën e tij në Google, duke thënë se është penduar për punën që ka bërë.

Ai i ka thënë BBC-së se disa nga rreziqet e produkteve të inteligjencës artificiale janë “mjaft të frikshme”.

Lexoni më shumë:

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG