Ndërlidhjet

Ulen çmimet e roamingut mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor


Një grua në Spanjë duke zhvilluar një bisedë përmes telefonit mobil. Fotografi nga arkivi.
Një grua në Spanjë duke zhvilluar një bisedë përmes telefonit mobil. Fotografi nga arkivi.

Operatorët telefonikë nga Ballkani Perëndimor dhe nga vendet e Bashkimit Evropian kanë nënshkruar një marrëveshje për zvogëlimin e dallimeve ndërmjet çmimeve për shërbimet e telefonisë mobile brenda dhe jashtë vendit në të dy drejtimet, ka njoftuar Komisioni Evropian.

Marrëveshja vullnetare, e firmosur nga 38 operatorë nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor, pritet të reduktojë shpenzimet për konsumatorët që udhëtojnë ndërmjet BE-së dhe rajonit, për të paktën një të tretën e çmimeve mesatare aktuale.

Kjo është një marrëveshje për të cilën u arrit pajtim në samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, të mbajtur dhjetorin e kaluar, në Tiranë.

Siç theksohet në njoftimin e KE-së, ulja e çmimeve nxit dhe thjeshtëzon shkëmbimet biznesore, kulturore, turistike dhe të tjera ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke forcuar lidhjet ndërmjet rajoneve fqinje.

“Operatorët aktualisht po punojnë për krijimin e produkteve me çmime më të vogla se ato për të cilat u arrit pajtim, që do të jenë në dispozicion për blerje nga numri më i madh i mundshëm i konsumatorëve”, thuhet në njoftim.

Nënshkrimi i marrëveshjes për reduktimin e çmimeve të roamingut u mirëprit nga komisionari evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

“Kjo marrëveshje vullnetare do t’i bëjë gjërat të parashikueshme, do të ndihmojë në eliminimin e befasive në faturat e konsumatorëve dhe do mundësojë reduktime të ndjeshme të kostove të roamingut për konsumatorët nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor”, ka thënë komisionari Varhelyi.

Ky proces mbështetet edhe nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, dhe nga Komisioni Evropian. KE-ja i ka ftuar edhe operatorët e tjerë telefonikë nga BE-ja dhe rajoni për t’iu bashkuar iniciativës.

Nga 1 korriku i vitit 2021, rajoni i Ballkanit Perëndimor është zonë ku nuk aplikohen tarifat e roamingut. Vizitorët paguajnë për thirrje, për porosi SMS dhe për qasje në internet me të njëjtin çmim si në vendin e tyre, nëse ndodhen në territorin e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Marrëveshja për roamingun mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është nënshkruar në prillin e vitit 2019, pas së cilës çmimet e thirrjeve telefonike janë reduktuar për rreth 27 për qind nga korriku i atij viti, dhe i ka hapur rrugën heqjes së plotë të tarifave të roamingut nga korriku i vitit 2021.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG