Ndërlidhjet

SHBA sanksionon Rusinë dhe Iranin për paraburgosjen e shtetasve amerikanë


Ish-ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, kalon pranë flamujve të Iranit dhe Rusisë. 13 prill 2021.
Ish-ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, kalon pranë flamujve të Iranit dhe Rusisë. 13 prill 2021.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar sanksione të reja ndaj agjencisë ruse të inteligjencës, FSB, dhe Gardës Revolucionare të Iranit të enjten, më 27 prill. Sanksionet e reja u nxitën nga “marrja në peng” e amerikanëve, si gazetarin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, të arrestuar në Rusi muajin e kaluar.

SHBA-ja “po tregon se askush nuk mund të përfshihet në këtë lloj sjelljeje të tmerrshme të përdorimit të qenieve njerëzore si pengje, si pazare, pa pasur pasoja”, tha një zyrtar i lartë amerikan.

Të dyja agjencitë veçse kanë qenë të sanksionuara më parë nga Departamentet amerikane të Shtetit dhe të Thesarit.

Por, zyrtari amerikan, siç raporton agjencia e lajmeve AFP, tha se sanksionet e reja do ta theksonin pikëpamjen e SHBA-së për atë që ai e përshkroi si një fenomen në rritje të qeverive që ndalojnë shtetas të huaj për të nxjerrë përfitime politike.

“Përdorimi i qenieve njerëzore si pengje politike, si pazare, të ndaluar nga qeveritë, por me pretendime të rreme, është një praktikë që duket se po shkon në drejtimin e gabuar” tha zyrtari amerikan.

Zbatimi i sanksioneve synon “ta promovojë llogaridhënien për fajtorët dhe, duke e bërë këtë, të parandalojë dhe të pengojë rastet e tilla në të ardhmen”, tha zyrtari.

Sanksionet vijnë një muaj pasi Rusia arrestoi gazetarin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, duke e akuzuar atë për spiunazh.

SHBA-ja po e kërkon lirimin e tij dhe të Paul Whelan, një ish-marins amerikan i arrestuar në Rusi në vitin 2018 dhe i dënuar me dy vjet burg lidhur me akuzat për spiunazh.

Vitin e kaluar, gjatë një shkëmbimi të të burgosurve, SHBA-ja siguroi lirimin nga Rusia të basketbollistes Brittney Griner, e burgosur për akuzat për drogë dhe një tjetër ish-marins, Trevor Reed, i burgosur për sulmin ndaj një oficeri policie rus.

Të paktën tre shtetas amerikanë mbahen në burgje iraniane, përfshirë biznesmenin Siamak Namazi, i cili po mbahet në burgun Evin të Teheranit që nga viti 2015.

Thesari i SHBA-së vendosi gjithashtu sanksione ndaj katër zyrtarëve të lartë të organit të inteligjencës IRGC.

“Aksioni i sotëm synon zyrtarët e lartë dhe shërbimet e sigurisë në Iran dhe Rusi, të cilët janë përgjegjës për pengmarrjen ose ndalimin e gabuar të shtetasve amerikanë jashtë vendit”, tha në një deklaratë nënsekretari i Thesarit, Brian Nelson.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG