Ndërlidhjet

SHBA dhe Koreja e Jugut arrijnë marrëveshje për armët bërthamore


Presidenti amerikan, Joe Biden, mirëpret në Shtëpinë e Bardhë homologun e tij jugkorean, Yoon Suk. 26 prill 2023
Presidenti amerikan, Joe Biden, mirëpret në Shtëpinë e Bardhë homologun e tij jugkorean, Yoon Suk. 26 prill 2023

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë arritur një marrëveshje, që synon t’i kundërvihet kërcënimeve bërthamore të Koresë së Veriut.

Uashingtoni është pajtuar që në mënyrë periodike të dislokojë në Korenë e Jugut nëndetëse të pajisura me armë bërthamore, si dhe të përfshijë Seulin në operacionet planifikuese bërthamore të SHBA-së.

Në këmbim, Koreja e Jugut është pajtuar që të mos zhvillojë vetë armë bërthamore.

Deklarata e Uashingtonit do të forcojë bashkëpunimin e aleatëve në parandalimin e një sulmi nga Koreja e Veriut, tha presidenti amerikan, Joe Biden.

Shqetësimet janë rritur në të dyja shtetet lidhur me kërcënimin bërthamor që paraqet Koreja e Veriut. Phenjani ka zhvilluar armë taktike bërthamore që mund të shënjestrojnë Korenë e Jugut, dhe ka përmirësuar armët e saj me rreze të gjatë veprimi, që mund të arrijnë tokën amerikane.

SHBA-ja veçse ka një traktat që e obligon që ta mbrojë Korenë e Jugut dhe më herët është zotuar se do të përdorë armë bërthamore nëse është e nevojshme. Por, disa në Korenë e Jugut nisën të dyshonin te ky përkushtim dhe bënë thirrje që shteti të zhvillonte një program të tij bërthamor.

Presidenti jugkorean, Yoon Suk-yeol, që ishte në Shtëpinë e Bardhë për vizitë zyrtare, tha se Deklarata e Uashingtonit paraqet një përkushtim “të paprecedent” të SHBA-së për të rritur mbrojtjen, sulmet parandaluese dhe për të mbrojtur aleatët e Uashingtonit duke përdorur armët bërthamore.

Marrëveshja e re është rezultat i negociatave disamujore, thanë zyrtarët e lartë.

Sipas marrëveshjes së re, SHBA-ja do ta bëjë më të dukshëm zotimin e saj për mbrojtje, duke dërguar nëndetëse me armë bërthamore në Korenë e Jugut për herë të parë në 40 vjet, por edhe asete të tjera strategjike, përfshirë edhe bombardues që kanë aftësi të bartin armë bërthamore.

Të dyja shtetet po ashtu do të krijojnë Grupin Konsultativ Bërthamor, për të diskutuar për planifikimet që duhet të bëhen për çështjet bërthamore.

Politikanët në Seul për një kohë të gjatë kanë kërkuar që Uashingtoni të përfshihet më shumë në planifikim dhe kur do të duhej të përdoreshin armët bërthamore kundër Koresë së Veriut.

“Një sulm bërthamor nga Koreja e Veriut kundër SHBA-së apo aleatëve dhe partnerëve të saj është i papranueshëm dhe do të rezultonte në fundin e çfarëdo regjimi që do të merrte një hap të tillë”, tha Biden.

Presidenti amerikan tha se SHBA-ja do të vazhdojë përpjekjet që ta sjellë në tavolinën e bisedimeve Korenë e Veriut. Por, Uashingtoni ka thënë se Phenjani ka refuzuar disa kërkesa që të flasë pa parakushte.

SHBA-ja ka thënë se shpreson që të bindë Korenë e Veriut që të heqë dorë nga armët bërthamore, por vitin e kaluar lideri verikorean, Kim Jong Un, tha se statusi bërthamor i shtetit të tij është “i pakthyeshëm”.

Vitin e kaluar, por edhe gjatë këtij viti, Koreja e Veriut ka kryer një sërë testesh të raketave të ndryshme balistike. Teste të tilla janë të ndaluara në bazë të rezolutave të Kombeve të Bashkuara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG