Ndërlidhjet

Vazhdojnë evakuimet nga Sudani


Një avion ushtarak francez, me shtetas të huaj të evakuuar nga Sudani, pas arritjes në Xhibut. 23 prill 2023.
Një avion ushtarak francez, me shtetas të huaj të evakuuar nga Sudani, pas arritjes në Xhibut. 23 prill 2023.

Shtetet evropiane, Kina dhe shtete të tjera nga e mbarë bota po vazhdojnë të evakuojnë mijëra qytetarë të tyre nga Kartumi, teksa në kryeqytetin sudanez të hënën duket se ka ndërprerje të luftimeve të ashpra midis ushtrisë dhe një force paramilitare.

Shpërthimi i papritur i dhunës më 15 prill midis ushtrisë dhe grupit paramilitar të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë ka nxitur krizë humanitare dhe nga luftimet janë vrarë 420 persona.

Së bashku me miliona sudanezë që kanë mbetur pa qasje në shërbimet bazike dhe janë bllokuar në shtëpitë e tyre, mijëra diplomatë të huaj, punëtorë të ndihmës, studentë dhe familjet e tyre po ashtu u bllokuan në këtë shtet afrikan për shkak të luftimeve.

Avionët luftarakë kanë bombarduar kryeqytetin, Kartum, dhe aeroporti kryesor ka qenë qendër e luftimeve të ashpra. Diplomatët po ashtu kanë qenë cak i sulmeve dhe të paktën pesë punëtorë të ndihmës janë vrarë.

Pavarësisht presionit të vazhdueshëm nga shtetet e huaja, që kanë shtetas të tyre brenda Sudanit, që palët të ndalojnë luftimet, as ushtria dhe as forcat paramilitare nuk u janë përmbajtur marrëveshjeve për armëpushime të përkohshme.

Megjithatë, intensiteti i luftimeve ka rënë gjatë fundjavës, mjaftueshëm sa Shtetet e Bashkuara të evakuonin stafin e ambasadës së tyre përmes helikopterëve ushtarakë, duke nxitur që edhe shtetet e tjera të nisnin shpejt evakuimet.

Të paktën dy autokolona, të përfshira në evakuime, kanë qenë cak i sulmeve, përfshirë një që po transportonte stafin e Ambasadës së Katarit dhe një tjetër që po bartte shtetas francezë.

Franca dhe Gjermania thanë më 24 prill se kanë evakuuar rreth 700 persona, por nuk treguan se çfarë nacionaliteti kanë ata. Evakuimi është bërë përmes nj avioni ushtarak gjerman, që ateroi në Berlin mëngjesin e së hënës.

Edhe shtete të tjera po përdorin avionët ushtarakë për të evakuuar shtetasit e tyre nga Kartumi. Indonezia tha se ka evakuuar mbi 500 shtetas të saj, ndërkaq Kina, Danimarka, Libani, Holanda, Zvicra dhe Suedia po ashtu kanë arritur të largojnë shtetas të tyre.

Shtetet e tjera, sikur Japonia, po përgatisin operacionet e evakuimit.

Në Sudan po luftojnë pjesëtarët e ushtrisë, që udhëhiqet nga Abdel Fattah al-Burhan, dhe zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Daglo, i cili komandon grupin paramilitar të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë.

Këta dy ish-aleatë kishin marrë pushtetin përmes një grusht shteti më 2021, por më pas patën mosmarrëveshje për shkak të ndarjes së pushtetit.

Ushtria kishte rrëzuar nga pushteti Omar al-Bashir në prill të vitit 2019, pas protestave masive kundër sundimit të tij me grusht të hekurt prej tri dekadash.

Në tetor të vitit 2021, Burhan dhe Daglo bashkuan forcat dhe rrëzuan Qeverinë civile të instaluar pas rrëzimit të Bashirit, duke penguar tranzicionin në sundim demokratik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG